LDK-ja iu drejtua Kushtetueses për vazhdimin e seancës konstituive pas aktgjykimit
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershor, pas një aktgjykimi nga gjykata më e lartë e vendit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
LDK – e cila doli e treta në zgjedhjet parlamentare – beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.
“Nuk ka vullnet politik që mund ta ndryshojë rendin e ditës së seancës konstituive sepse kjo është e përcaktuar me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ky akt i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë”, tha Manaj.
LDK është partia e dytë, pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që i drejtohet Kushtetueses në lidhje me vazhdimet e seancës konstituive pas aktgjykimit të Kushtetueses nga 26 qershorit, i cili, ndër të tjera, i urdhëroi deputetët ta bëjnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari – i cili vjen nga partia fituese Lëvizja Vetëvendosje – kërkoi krijimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentar, pasi kandidatja e LVV-së nuk i mori 61 votat e nevojshme në disa tentime në votim të hapur.
Partitë më të mëdha opozitare, PDK, LDK dhe AAK, e kundërshtojnë këtë mënyrë votimi dhe argumentojnë se aktgjykimi i Kushtetueses nuk e lejon një gjë të tillë dhe kërkojnë votim të hapur.
LVV ngul këmbë se aktgjykimi e lejon këtë lloj votimi dhe nuk heq dorë.
Deri tani deputetët janë mbledhur plot 41 herë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, por secili tentim i tyre nuk ka zgjatur më shumë tre minuta përafërsisht.
Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se problemi kryesor i moskonstituimit është politik dhe jo kushtetues.
Ai theksoi se përgjegjësinë e mbajnë të gjitha partitë, por më së shumti partia fituese në zgjedhjet parlamentare – Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 20 ditësh, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Liderët e të gjitha partive parlamentare përsëritën qëndrimet e njohur ta partive të tyre përkatëse kur folën pas takimit me Osmanin.