Labirintet janë ndërtime të ndërlikuara me shumë hyrje, rrugë qorre e korridore dhe me vetëm një rrugë të ngatërruar deri në qendrën e tij. Mitologjia flet edhe për labirintin e Kretës, që u ndërtua nga Dedali, me kërkesën e mbretit Minos. Aty mbahej Minotauri, një krijesë gjysmëdem dhe gjysmënjeri, që u vra nga Tezeu dhe me ndihmën e Arianës.
Minotauri brenda labirintit, sipas John Barth-it, pret dy mundësi finale: disfatën dhe vdekjen apo fitoren dhe lirinë.
Sipas këtij rrëfimi mitologjik, labirinti na del si metaforë për izolimin, mposhtjen e së keqes dhe të së shëmtuarës. Por mistikët mendonin se labirintet janë harta të koduara, që tregojnë rrugën drejt përsosmërisë shpirtërore.
Nga simbolika e labirintit u josh edhe Jorge Borges-i. Sipas tij, mendja njerëzore është labirint. Borges-i mendonte se edhe teksti, libri dhe historia janë labirinte. Janë enigma të shumëkuptimshme me simbole të fshehura që presin të zbulohen nga lexuesi.
Sipas Umberto Eco-s, nëse fjalorët i kthejnë njohuritë në sistem të mbyllur, enciklopeditë janë si një labirint me rrugë të pafundme…
Në kohën e sotme, vetëm me një pajisje moderne navigimi, Minotauri do të dilte pa problem nga labirinti, kurse Tezeut s’do t’i duhej fija e gjatë e Arianës.
Me shpikjen e aparateve moderne të navigimit, mund të mendojmë se ky mit nuk është funksional. Megjithatë, labirinti nuk është vetëm strukturë fizike, por edhe metafizike.
Në botën moderne shumica e qytetarëve të botës jetojnë brenda një labirinti të padukshëm…
Njeriu i kohës moderne ka humbur brenda një labirinti ekzistencial. Ai nuk e di se është brenda labirintit. Për dalje nga ky labirint i padukshëm, atij nuk i ndihmojnë mjetet e navigimit. Labirinti nuk është jashtë, por brenda njeriut. Labirinti është në mendjen tonë dhe, si i tillë, siç thonë studiuesit, ai e simbolizon kufizimin njerëzor dhe rrugën e gabuar që zgjedhim, e cila na krijon ndjenjën e humbjes dhe të dëshpërimit.
Në botën moderne ne “nuk jemi”, por “duhet të jemi” ashtu siç na programojnë të tjerët. Programimi nuk është i tanishëm. Kadare flet për “ëndrrën mashtruese” që Zeusi e derdhi në mendjen e Agamemnonit.
“Agamemnoni ka bërë diçka që nuk i ka pëlqyer Zeusit, i cili vendos ta ndëshkojë. Ai thërret një lajmëtar dhe i thotë të fluturojë në tokë, të gjejë gjeneralin grek të quajtur Agamemnon dhe t’i fusë një ëndërr mashtruese në kokë. Lajmëtari mbërrin në Trojë, gjen Agamemnonin në gjumë, i derdh një ëndërr mashtruese në kokë si lëng dhe kthehet përsëri te Zeusi. Në mëngjes Agamemnoni thërret komandantët e vet dhe u thotë se ka parë një ëndërr të bukur dhe se duhet të sulmojnë trojanët. Ai pëson një disfatë dërrmuese. E gjithë kjo në një faqe e gjysmë! Kalohet nga truri i Zeusit tek ai i Agamemnonit, nga qielli në tokë. Cili shkrimtar mund ta shpikë këtë sot? Raketat balistike nuk janë aq të shpejta!”
Kur shohim se çfarë ndodh në botë, duhet të dimë se Zeusi e ka trazuar ndonjë Agamemnon me ëndrra mashtruese. Pastaj Agamemnonët e programuar japin urdhra për fillimin e një lufte të re. Nga lufta pësojnë njerëzit e thjeshtë, kurse përfiton një pakicë…
Ne jemi brenda labirintit të madh dhe të padukshëm. Në epokën moderne, me kriza të mbivendosura, me sfida të shumta ekzistenciale, ku materialja dhe shpirtërorja janë në proporcion të zhdrejtë, bota e jashtme e ka ndryshuar edhe botën e brendshme njerëzore.
A mund t’i lexojë njeriu modern kumtet e kësaj kohe? Filmi “Matrix”, i mbështetur në filozofinë e Jean Baudrillard-it mbi simulimin dhe simulacran, na jep përgjigje dëshpëruese…
Fija e Arianës, që na mundëson të dalim nga labirinti i padukshëm modern, gjendet tek afërsia ndërnjerëzore.
Albert Camus-i shkroi se bota pa dashuri është botë e vdekur. Jeta pasurohet nëpërmjet marrëdhënieve njerëzore dhe lidhjeve emocionale, kurse i nënshtrohet monotonisë atëherë kur njerëzit shkëputen nga njëri – tjetri.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.