Kushtetuesja i dha të drejtë Listës Serbe, Basha vendimin e Kushtetueses e vlerësoi si antikushtetues

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin, raporton Koha.net.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit në seancën e 10 tetorit.

Aktgjykimi është përgjigje në kërkesën e Listës Serbe, që ishte ankuar në Kushtetuese pas zgjedhjes së Rashiqit.

Sipas Gjykatës, gjatë procedurës së konfirmimit të Rashiqit si anëtar i kryesisë së Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, u shkel neni 67 i Kushtetutës dhe neni 12 i Rregullores së Kuvendit.
Në njoftimin për vendim, thuhet se Kushtetuta u shkel meqë Rashiqi nuk ishte propozim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.

“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, thuhet në njoftim.

Kushtetuesja konstatoi se përveç se Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, po kjo shumicë, në rastin konkret Lista Serbe, luajti rol bllokues në konstituimin e Kuvendit.

“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për ta shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet në njoftim.

Nenad Rashiqi u zgjodh pasi u propozua direkt nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, meqë deri atëherë ishin kryer 27 runde votimi për secilin deputet serb nga tri herë përmes shortit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatori se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese,  është në shpërputhje me Kushtetutën.

“Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njëjti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”, ka shkruar Basha në Facebook.

Sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit.

“Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili ‘bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare’. Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka shkruar Basha.

Ai ka thënë se në rastin e zgjedhjes së Rashiqit ka pasur refuzim për të propozuar nga Lista Serbe.