Kush po na shet iluzione?

Qeveritë dhe udhëheqësit përpiqen të punojnë dhe të parashikojnë skenarët më të mirë për qeverisjen dhe të ardhmen. Megjithatë, ndonjëherë, gjërat marrin një drejtim tjetër. Dhe pavarësisht trazirave e shqetësime të brendshme, një udhëheqës duhet të veprojë sipas realitetit. Në politikë, siç thekson Nicolo Machiaveli (1469-1527) në librin e tij “Princi”, udhëheqësit përballen me kriza të natyrave të ndryshme. Sipas tij një sërë faktorë të jashtëm, dhe të brendshëm do të përpiqen të shkatërrojnë qeverisjen e një sundimtari, por ai duhet të jetë i përgatitur duke e parë realitetin ashtu siç është. Kështu, ai na sjell si shembull Cesare Borgian, (1475–1507) i cili, megjithëse konsiderohej mizor, kishte arritur të reformonte dhe bashkonte Romagnën në Italinë e atëhershme. Megjithatë, pushteti i tij u shemb pas vdekjes së Papës Aleksandrit VI në vitin 1503. Vdekja e Aleksandrit VI e goditi shumë Borgian. Ai i humbi të gjitha angazhimet, sepse pushteti i tij varej më shumë nga forcat e jashtme dhe llogaritjet e brendshme. Taktikat dhe strategjia e tij, të cilat mbështeteshin në forcë dhe gënjeshtra, nuk ishin më në interes të qeverisë së Romagnës. Tani, le të kalojmë në terrenin tonë ballkanik, duke ndjekur shembullin historik të politikës mesjetare italiane.

Në kohët moderne, mungesa e veprimeve konkrete shpesh shndërrohet në një mjegull. Në mënyrë të përsëritur, udhëheqësit vendosin të përcaktojnë se çfarë është e mirë ose e keqe për të tjerët. Në kohën tonë, në rrethana të tilla, udhëheqësit pretendojnë se janë nën presion të faktorëve të brendshëm, siç janë narrativat historike dhe kujtimet kolektive të së kaluarës. Në vend që ta përdorin mundësinë për të mirë, udhëheqësit bëjnë të kundërtën, bazuar në supozimin se po veprojnë mirë dhe në përputhje me interesat shtetërore e kombëtare. Dhe po këtu, njerëzit ndonjëherë nuk mund ta dallojnë ndryshimin midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, duke pranuar një realitet të vendosur nga të tjerët.

Në Ballkanin tonë, edhe kthimi prapa mund të konsiderohet një mënyrë e mirë për ta konsideruar po nga ky lloj udhëheqësish si përparim. Shembuj klasikë janë Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ku udhëheqësit, duke mos pasur aftësinë për të dalë nga rrethi i mbyllur në të cilin kanë hyrë, detyrohen të shpëtojnë nga realiteti ekzistues në vendet e tyre përkatëse me reagime dhe aksione të pakuptimta. Për të kapërcyer hendekun, as qeveritë dhe as udhëheqësit nuk kanë nevojë të bëhen të ashpër siç ishte dikur Cesare Borgia; mjafton të riorganizojnë rrethin e tyre të brendshëm për të parë më mirë çështjet e jashtme dhe të brendshme. Kështu, nga reagimet e fundit nga Beogradi, Shkupi dhe Prishtina, vihet re se në të tre kryeqytetet, ekziston një lloj rënie në të menduarit në qeveri për atë që është përparësi. Ditë më parë, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha se Maqedonia e Veriut është përpara Shqipërisë në garën drejt BE-së.

“Ne jemi përpara Shqipërisë, edhe pse disa komisionerë evropianë kanë thënë disa gjëra të tilla, kështu që kur bëhet fjalë për të analizuar se cili vend është gati, Mali i Zi është i pari, Maqedonia dhe Serbia në vendin e dytë, dhe pastaj vjen Shqipëria”, tha kryeministri Mickoski.

Humbja e një udhëheqësi në realitetin e ashpër, është shumë e zakonshme në politikë, dhe veçanërisht kur faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë përcaktojnë tiparet e vendit. Në veçanti, në Maqedoninë e Veriut, rrethanat e brendshme dhe të tjera kanë ndikim në të ardhmen e vendit; prandaj, reagimi i tij si i tillë ishte i pritshëm.

Rasti tjetër është Kosova, ku kryeministri Albin Kurti, në pozicionin e tij të papërshtatshëm për të formuar një qeveri të re, në deklaratën e tij të fundit tregoi tiparet e shpjeguara në fillim të tekstit. Në një postim në Facebook, kryeministri Albin Kurti vlerësoi partitë e Vlen-it në Maqedoninë e Veriut për suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit lokale. “Nga Çairi në Tetovë, Vlen-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Suksesi në zgjedhjet lokale është një konfirmim i qeverisjes së mirë të Vlen-it, i vullnetit për ndryshim të shqiptarëve dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”. “Në 15 muajt e parë në pushtet, Vlen-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion dhe skandale, duke bërë një ndryshim etik me qeveritë e kaluara. Është pikërisht kjo frymë ndryshimi që ka sjellë një bashkëpunim të hapur dhe shumëdimensional midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtjesor i dy qeverive tona deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar marrëdhëniet fqinjësore si kurrë më parë. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, nënvizoi Kurti në rrjetin Facebook.

Ndërsa udhëheqës të tjerë të Ballkanit, si Mickoski, mendojnë se Serbia është afër anëtarësimit në BE, BE-ja nuk ndan të njëjtin mendim. Raporti i fundit i BE-së tregonte se Serbia ka ngecur në rrugën e anëtarësimit. Aktualisht, bisedimet me presidentin ukrainas Zelensky për çështjen e biznesit të shitjes së armëve kanë tronditur politikën e jashtme serbe me potencialin e tensioneve të reja me Moskën.

Këtu në të tre rastet, nuk mund të kemi një shpjegim tjetër, sepse kur të tre vendet janë të bllokuara dhe kanë marrë raporte të këqija nga BE-ja, e vetmja mënyrë është të mbulohen me diçka tjetër, siç përshkruhet në deklaratat e lëshuara nga Kurti, Mickoski etj. Injorimi i realitetit dhe nxjerrja e një përfundimi që nuk përputhet me faktorët konkretë mund të jetë një fat i keq për udhëheqësit. Sa i përket asaj se sa i keq ose i mirë mund të jetë për qeveritë e rajonit të qeverisësh me iluzione, shembulli i lartpërmendur i rolit të Borgias në politikën mesjetare italiane është mjaft domethënës, për udhëheqësit tanë me efekte të humbjes së pushtetit sot ose nesër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.