Kultura që jeton vetëm gjatë festivaleve në RMV: Kur arti ndizet për pak ditë dhe shuhet me dritat e skenës

Në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, jeta kulturore duket se ndizet vetëm për disa ditë në vit nëpër festivale. Ato sjellin muzikë, ekspozita, filma, teatër, madje edhe debat publik, por sapo mbyllet skena dhe fiken dritat, qetësia kthehet. Kultura, për fat të keq, vazhdon të jetë një “sezon” dhe jo një proces i përhershëm. Sot shumë teatro, galeri, qendra rinore dhe shtëpi kulture janë të mbushura vetëm kur ka festivale. Jashtë tyre, rrallë shihen aktivitete. Kjo varësi nga “ditët e festivalit” tregon edhe një boshllëk institucional. Financimet shpesh jepen vetëm për ngjarje të mëdha e jo për programe të qëndrueshme gjatë vitit. Lidhur me këto probleme, Portalb.mk bisedoi me figura të artit nga fusha të ndryshme.

Fatos Lumani drejtor i festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare” për Portalb.mk tha se sfida e vërtetë e artit fillon pas fundit të festivalit. Që kultura të ketë kuptim, ajo duhet të jetojë çdo ditë, jo vetëm për disa net nën dritat e skenës.

Fotografi nga arkivi personal i Fatos Lumanit. Foto: Fatos Lumani (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Fatos Lumanit. Foto: Fatos Lumani (Facebook)

“Sfida më e madhe fillon pikërisht pas përfundimit. Pas çdo koncerti dhe duartrokitjeje, mbetet pyetja: si ta vazhdojmë këtë energji? Për mua si drejtor artistik, sfida është ta mbajmë gjallë frymën e festivalit gjatë gjithë vitit, jo ta lejojmë të shuhet me fundin e programit. Të mos e kemi vetëm një ngjarje, por një proces që vazhdon. Po, për fat të keq shpesh ndodh. Gjatë festivalit publiku është i pranishëm, ka emocion, frymë. Por sapo mbaron, vëmendja bie menjëherë. Kjo tregon se kultura ende nuk është pjesë e përditshmërisë sonë. Arti shihet si festë, jo si nevojë. Duhet ta mësojmë shoqërinë që arti është ushqim shpirtëror, jo luks. Institucionet mund të jenë ndihmë e madhe kur e kuptojnë rëndësinë e punës sonë dhe bashkëpunojnë sinqerisht. Por shpesh, mungesa e interesit real dhe burokracitë e panevojshme e bëjnë punën shumë të vështirë. Kultura kërkon mbështetje të vërtetë, jo vetëm deklarata”, tha Lumani.

Piktorja Enisa Ajruli Zeqiri për Portalb.mk theksoi se nuk ka gjithmonë hapsira të lira për t’i prezantuar punimet.

Fotografi nga arkivi personal i piktores Enisa Ajruli Zeqiri. Foto: Enisa Ajruli Zeqiri
Fotografi nga arkivi personal i piktores Enisa Ajruli Zeqiri. Foto: Enisa Ajruli Zeqiri

“Ndonjëherë po, publiku bëhet më aktiv kur ka ngjarje apo ekspozita, sepse është momenti kur arti është më i dukshëm. Gjatë gjithë vitit mundohem të krijoj vazhdimisht. Pikturoj çdoherë kur kam mundësi për projekte të ndryshme. Nuk ka gjithmonë hapësira të rregullta për t’i ekspozuar punimet, por përpiqem t’i shfaq në Galeri lokale, ekspozita kolektive dhe në rrjete sociale, që publiku ti sheh. Çdo moment, çdo njeri apo pamje nga jeta e përditshme mund të bëhet subjekt për pikturë”, tha Ajruli Zeqiri.

Agim Abdula regjisor dhe drejtori artistik i Festivalit të Filmit Ndërkombëtar të Filmit në Tetovë “TIFF Oda” dhe drejtor artistik festivalit të Teatrit të Tetovë për Portalb.mk tha se duhet të ketë koordinim më të mirë mes institucioneve dhe organizatave, që festivalet të mos përplasen në të njëjtën periudhë, por të shpërndahen gjatë vitit, dhe se kështu do ta kemi kulturën të gjallë gjatë gjithë vitit, jo vetëm disa ditë në pranverë apo vjeshtë.

Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Agim Abdula. Foto: Agim Abdula (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Agim Abdula. Foto: Agim Abdula (Facebook)

“Unë e shoh si sfidë kryesore atë adoptimin pajtimin me realitetin pas festivalit që d.m.th. përfundojnë aktivitetet dhe pastaj duhet të presim deri në aktivitetin e radhës. Realisht jo që shuhet interesi, po pasi nuk ka aktivitete dhe pastaj shikuesi, publiku duhet të pres ndonjë moment tjetër për ndonjë aktivitet, duke pasur parasysh që ne nuk kemi aktivitete përgjatë gjithë vitit, mund të thuhet në një farë forme që shuhen aktivitet jo interesi për festivale. Teatrot, Qendrat për Kulturë të kenë repertorin e vet, d.m.th. që të ketë vazhdimësi të aktiviteteve kulturore. Unë mendoj që duhet të kemi një koordinim mes institucioneve dhe organizatave joqeveritare që organizojnë festivale, sepse ka festivale në të njëjtën kohë të teatrin edhe në Shkup edhe në Tetovë edhe në Gostivar pastaj këtë vit u përputh edhe festivali në Dibër. Unë mendoj që duhet të mendohen ndonjë zgjidhje për këtë që brenda vitit të kemi festivale që njëri do jetë supozoj në prill, tjetri në qershor, tjetri shtator, tjetri në nëntor dhe kështu që do kemi gjatë gjithë vitit aktivitete”, tha Abdula.

Studentja Azra Tairi për Portalb.mk tha se çdo festival, sado i vogël apo i madh të jetë, në një mënyrë apo tjetër kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit duke promovuar artistë, duke gjallëruar jetën kulturore dhe duke ndikuar pozitivisht në aspektin social e ekonomik.

Fotografi nga arkivi personal i studentës Azra Tairi. Foto: Azra Tairi
Fotografi nga arkivi personal i studentës Azra Tairi. Foto: Azra Tairi

“Fillimisht, mendoj se në Maqedoninë e Veriut nuk organizohen aq shumë festivale sa do të duhej, ose ndoshta jo mjaftueshëm për të cilat unë kam qenë e informuar. Megjithatë, kjo varet shumë nga cilësia dhe niveli i investimit në to. Ka festivale që lënë gjurmë dhe mbahen mend gjatë, sepse arrijnë të ofrojnë përmbajtje me vlerë, por ka edhe të tilla që zhvillohen shpejt dhe po aq shpejt harrohen. Edhe nëse ndonjë festival duket apo mund të konsiderohet si një “show” momental, kjo nuk do të thotë që nuk ka ndikim në zhvillimin kulturor të vendit. Përkundrazi, çdo formë e këtij lloji aktiviteti kontribuon në mënyrën e vet, duke promovuar artistë të ndryshëm, duke gjallëruar jetën kulturore dhe duke ndikuar pozitivisht edhe në aspektin social e ekonomik”, tha Tairi.

Artistja Arbina Emini për Portalb.mk tha se vlera e një festivali nuk matet nga zhurma e momentit, por nga ndikimi që lë pas. Arti nuk ka nevojë për fasadë, por për shpirt, sinqeritet dhe frymë të vërtetë krijuese.

Fotografi nga arkivi personal i artistes Arbina Emini. Foto: Arbina Emini
Fotografi nga arkivi personal i artistes Arbina Emini. Foto: Arbina Emini

Kjo varet nga qëllimi me të cilin organizohen. Besoj se vlera e një festivali matet nga ndikimi që len pas, dhe jo nga zhurma e momentit. Ka festivale që arrijnë të krijojnë një lidhje të vërtetë mes artistit dhe publikut, ai ngelet i vlefshëm. Por fatkeqësisht ka edhe nga ata festivale që ngelen vetëm në kuadrin e formalitetit. ⁠Në thelb qëllimi i organizimit të një festivali është që të ketë ndikim në zhvillimin kulturor të vendit. Por kjo vlen vetëm kur ai organizohet me dashuri dhe qëllim të pastër kulturor. Kur qëllimi zhvendoset te reklama dhe imazhi atëherë humbet thelbi, dhe ky festival kthehet në një show kalimtar. Për mua një festival e bën të suksesshëm shpirti, sinqeriteti dhe fryma krijuese. Veti këto që nuk ti fal dot thjesht një “emër i njohur”, tha Emini.

Poetja Azra Alija për Portalb.mk tha se festivali nuk është vetëm duartrokitje, është jetë, është zjarr që nuk shuhet kurrë. Emocionet e skenës ruhen në zemër si kujtime të përjetshme të dashurisë për artin.

Fotografi nga arkivi personal i poetes Azra Alija Foto: Azra Alija
Fotografi nga arkivi personal i poetes Azra Alija Foto: Azra Alija

“Një artist gjatë një festivali përjeton emocione të ndryshme. Pas tij, këto emocione të përjetuara mbesin si momente të paharruara.. Krijimtaria vazhdon të lulëzojë sado të forta të jenë stuhitë sado pengesa të ketë. Krijuesit dhe shpirti i tyre bëjnë paqe me lirinë e ku ka më bukur se të ketë edhe ambiente për ta shfaqur lirshëm atë që dora jonë e shkruan me shumë dashuri. Festivalet për artistin nuk janë vetëm momente duartrokitjeje sepse ata nuk performojnë vetëm për tu dëgjuar dhe për tu dukur. Ato janë momente të cilat nuk harrohen deri në vdekje”, tha Alija.

Në fund, tabloja e jetës kulturore në Maqedoninë e Veriut mbetet kontradiktore, e gjallë për disa ditë, por e heshtur për muaj të tërë. Artistët e fushave të ndryshme e shohin kulturën si diçka që duhet të frymojë çdo ditë, jo vetëm gjatë festivaleve. Ata kërkojnë më shumë hapësira, mbështetje të qëndrueshme dhe bashkëpunim të vërtetë mes institucioneve. Sepse arti nuk është luks apo zbukurim i përkohshëm, por nevojë e përhershme e shpirtit dhe e shoqërisë.