Kush i gënjeu shqiptarët për punësime? BDI dhe VLEN me akuza të ndërsjella

VLEN mashtroi kur premtoi 2.500 punësime. Realiteti është krejt tjetër: me qindra shqiptarë u larguan nga puna, ndërsa punësimet e reja mund të numërohen në gishta për ndonjë familjar të ndonjërit nga krerët e VLEN-it. Kështu kanë reaguar sot nga BDI-ja opozitare. Në ndërkohë nga radhët e pushtetit ,VLEN thotë se BDI gënjeu 20 vite, sot i pengojnë punësimet e shqiptarëve, transmeton Portalb.mk

Nga BDI thonë se premtimet e VLEN u bënë objekt talljeje, aq sa edhe ministri Minçev, e quajti këtë premtim të Izet Mexhitit “Liza në botën e çudirave”, duke i nxjerrë zbuluar në çdo gënjeshtër dhe duke i turpëruar publikisht. 

“Para kësaj, Minçev publikisht pranoi se shqiptarët i kanë zvogëluar në përllogaritje, nga 29,5% në vetëm 24,3%, madje më pak se në vitin 2002 kur ishin 25,17%. Dhe pas këtij manipulimi, VMRO realizoi premtimin parazgjedhor: shfuqizimin e balancuesit. Ata e instrumentalizuan Gjykatën Kushtetuese dhe e hoqën këtë mekanizëm, duke shkelur Kushtetutën, Amendamentin VI që garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si vlerë kushtetuese. Pa balancues, shqiptarët u shndërruan në zero në institucionet shtetërore”, thonë nga BDI.  

Nga ana tjetër, VLEN thotë se BDI për më shumë se dy dekada i mashtroi shqiptarët me fjalë boshe dhe me premtime që kurrë nuk u shndërruan në vepra.

“Ishin 20 vite në pushtet, por asnjëherë nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë. Sot, kur ligji më në fund është në procedurë, pikërisht BDI është ajo që kundërshton punësimin e shqiptarëve.VLEN e solli Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe rezultatet janë të qarta”, thanë nga VLEN. 

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. 

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit. 

Në ndërkohë, projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në qershor nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për momentin gjendet në Komisionin e Venedikut, institucion ky që duhet të jep mendim për kualitetin e ligjit. Zgjidhja ligjore, nga ana e RMV-së, i është dorëzuar komisionit më 11 korrik 2025 duke kërkuar nga ata mendim urgjent mbi këtë ligj. Nga ky komision për Portalb.mk thanë se shqyrtimi i ligjit është caktuar të bëhet në tetor, në seancë plenare. Por, siç thanë nga ky instititucion, ka gjasa të shyqrtohet dhe më herët në rast se organi kërkues (Qeveria e RMV-së) mund të dëshmojë se pse pritja deri në tetor nuk është e përshtatsh.