Kur gjuha poshtëruese bëhet normalitetet

Gjuha e urrejtjes zakonisht fillon me fyerje dhe poshtërime bazuar në identitetin e dikutj. Jo çdo fjalë fyese është domosdoshmërisht gjuhë e urrejtjes në kuptimin juridik. Gjuha e urrejtjes lidhet me shprehje që nxisin, përhapin ose arsyetojnë urrejtjen, diskriminimin apo dhunën ndaj një personi ose grupi për shkak të identitetit të tij. Por fakti që një fyerje nuk e plotëson këtë përkufizim nuk do të thotë se ajo është e padëmshme.

Kohëve të fundit kemi parë vazhdimisht degradim të komunikimit publik: fyerje dhe kërcënime në ambientet e Kuvendit, etiketime poshtëruese në rrjetet sociale dhe, në rastet më të rënda, shprehjes tërësisht të papërshtatshme dhe të papranueshme ndaj një gazetari dhe familjes së tij pas shkrimeve kritike. Folësit në këto incidente u përkisnin partive, niveleve të pushtetit dhe gjinive të ndryshme. Pikërisht kjo tregon se nuk kemi të bëjmë vetëm me sjelljen e një individi apo me kulturën e një partie. Kemi të bëjmë me një mënyrë komunikimi që gradualisht po pranohet si normale.

Problemi fillon kur secila palë e dënon fyerjen vetëm kur ajo vjen nga kundërshtari. Kur flet “i yni”, gjejmë shpjegime: ishte i provokuar, u nxeh, foli në afekt, vetëm po bënte humor. Kur të njëjtat fjalë i përdor pala tjetër, kërkojmë dorëheqje dhe përgjegjësi. Në këtë mënyrë nuk mbrojmë një standard publik, por vetëm interesin e grupit tonë politik.

Gjuha fyese nuk bëhet më e pranueshme kur përdoret nga një grua dhe as më pak problematike kur drejtohet ndaj një burri. Përfaqësimi i grave në politikë është thelbësor, por prania e grave nuk e demokratizon vetvetiu politikën nëse ato riprodhojnë të njëjtën arrogancë, përjashtim dhe agresivitet që tradicionalisht i kemi kritikuar te burrat. Nga ana tjetër, kur fyerjet ndaj një gruaje marrin karakter seksist, ato nuk sulmojnë vetëm kundërshtaren politike, por dërgojnë mesazh edhe për gratë e tjera që mendojnë të hyjnë në jetën publike.

Fjala e një politikani ka peshë tjetër nga komenti i një qytetari të zemëruar. Ajo vjen nga një pozitë pushteti, transmetohet nga mediat dhe shumëfishohet nga rrjetet sociale. Kur një përfaqësues publik poshtëron një koleg, diplomat apo gazetar, ai nuk shpreh vetëm zemërimin personal. Ai u tregon ndjekësve të tij se si lejohet të flitet për atë person.

Pas kësaj vijnë komentet, etiketimet, kërcënimet dhe turmat digjitale. Politikani mund të thotë se nuk ka kërkuar që dikush të sulmohet. Por ai nuk mund të sillet sikur nuk e kupton fuqinë e fjalëve të veta. Në një shoqëri të polarizuar, gjuha nga maja e pushtetit nuk mbetet atje. Ajo zbret poshtë dhe bëhet model sjelljeje.

Veçanërisht e ndjeshme është përplasja ndërmjet bartësve të funksioneve publike dhe mediave. Shpesh mund të ndodhë që jo çdo përmbajtje e publikuar t’i përmbush standardet profesionale; shpesh ndodh që disa portale përdorin gjuhë provokuese, akuza të pakonfirmuara ose qasje të njëanshme. Edhe gazetarët dhe autorët e përmbajtjeve publike duhet t’i nënshtrohen kritikës dhe përgjegjësisë. Megjithatë, përgjigjja ndaj një shkrimi kritikues që nuk na shkon për shtat nuk mund të jetë fyerja, sharja, presioni apo kërcënimi. Zyrtarët publikë kanë mundësi të kërkojnë korrigjim, të paraqesin fakte, të reagojnë publikisht ose të përdorin mjetet juridike. Pikërisht për shkak të pozitës së tyre, prej tyre pritet më shumë vetëpërmbajtje dhe respekt për kufijtë e debatit demokratik. Fundja të qenit i kyçur në politikë përfshin edhe menaxhimin e kritikave që vinë nga mediat, nga oponentët politikë ose thjeshtë, nga qyetetarët që mendojnë ndryshe.

Sigurisht që demokracia nuk kërkon që politikanët të flasin gjithmonë me fjali të zbrazëta dhe të sjellshme. Kritika mund dhe duhet të jetë e ashpër. Por ekziston një dallim i madh ndërmjet kritikës së ashpër dhe poshtërimit personal, ndërmjet polemikës dhe kërcënimit, ndërmjet kundërshtimit të një qëndrimi dhe përpjekjes për ta heshtur personin që e shpreh atë.

Institucionet duhet të reagojnë pa dallim partiak. Kuvendi, këshillat komunalë dhe partitë politike duhet të kenë rregulla të qarta të sjelljes dhe pasoja për shkeljen e tyre. Kur ka pretendime për kërcënime, policia dhe prokuroria duhet të veprojnë shpejt. Kur ka fyerje dhe sharje në baza personale dhe familjare, udhëheqësit politikë duhet t’i dënojnë edhe kur vijnë nga radhët e tyre. Kërkimi i faljes nuk është dobësi politike. Është shenjë se personi e kupton peshën e funksionit që ushtron.

Politika nuk mund të përjashtojë konfliktin dhe as që duhet ta bëjë këtë. Por konflikti demokratik ka një qëllim: të përballë ide, politika dhe alternativa. Kur argumentet zëvendësohen me sharje, fitojnë vetëm më të zhurmshmit. Ndërsa shoqëria humb edhe një pjesë të besimit se institucionet mund të jenë më të mira se rrjetet sociale.

Sepse mënyra se si flasin përfaqësuesit e pushtetit nuk tregon vetëm nivelin e tyre politik, por përcakton edhe kufijtë e asaj që shoqëria nesër do ta pranojë si normale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.