Kur dhuna bëhet spektakël: dështimi i përbashkët i familjes, shkollës dhe shoqërisë

Rasti i fundit i dhunës ndërmjet nxënësve në një shkollë fillore në Gjorçe Petrov nuk është vetëm një lajm i rëndë që kalon përmes ciklit të zakonshëm mediatik. Është një moment në të cilin duhet të ndalojmë, të shqetësohemi dhe të detyrohemi të reflektojmë më thellë. Jo vetëm për atë që ka ndodhur, por për atë që e ka bërë të mundur këtë ngjarje makabre.

Kur dhuna mes fëmijëve merr forma të tilla brutale, kur poshtërimi bëhet publik, kur dhuna përsëritet dhe kur ajo madje inçizohet, atëherë nuk kemi të bëjmë më me një incident të izoluar. Kemi të bëjmë me një simptomë. Dhe simptomat, nëse nuk trajtohen si duhet, flasin për një problem shumë më të thellë.

Nga këndvështrimi juridik, fëmijët që kryejnë akte të tilla nuk mund të trajtohen njësoj si të rriturit. Sistemi penal, me të drejtë, vendos kufizime dhe thekson dimensionin edukativ dhe rehabilitues kur bëhet fjalë për të miturit. Por kjo nuk do të thotë se përgjegjësia zhduket. Ajo vetëm shpërndahet ndryshe. Në raste të tilla, përgjegjësia nuk është vetëm individuale, ajo është e përbashkët dhe sistemike.

Familja është vendi i parë ku fëmijët mësojnë kufijtë mes së drejtës dhe së gabuarës. Aty ndërtohet empatia, aty mësohet respekti për tjetrin. Kur një fëmijë arrin të ushtrojë dhunë të përsëritur ndaj një bashkëmoshatari, kjo shpesh tregon për mungesë të mbikëqyrjes, mungesë të komunikimit, ose në disa raste edhe për modele të dhunshme që riprodhohen brenda vetë familjes. Kjo nuk është një akuzë, por një thirrje për përgjegjësi.

Shkolla, nga ana tjetër, nuk është vetëm institucion i dijes. Është hapësirë socializimi, ku fëmijët mësojnë të jetojnë me të tjerët. Prandaj, çdo formë e dhunës që ndodh brenda saj nuk është vetëm një problem disiplinor, është një dështim institucional për të krijuar një ambient të sigurt dhe për të reaguar në kohë. Veçanërisht kur bëhet e ditur se kjo nuk ishte hera e parë që vajza përballej me këtë trajtim, por vetëm momenti kulminant i një dhune të përsëritur, përgjegjësia institucionale bëhet edhe më e rëndë. Pyetja që duhet të shtrohet nuk është vetëm “Çfarë ndodhi?”, por edhe “Pse nuk u ndalua më herët?”, “A janë identifikuar shenjat në kohë?” dhe “A janë ndërmarrë masat e duhura për ta parandaluar përshkallëzimin?”.

Por ndoshta dimensioni më i vështirë për t’u pranuar është ai shoqëror. Sepse këta fëmijë nuk jetojnë në vakum. Ata janë produkt i një kulture më të gjerë, ku dhuna shpesh relativizohet, ku poshtërimi banalizohet dhe ku ekspozimi publik i tjetrit përmes rrjeteve sociale shndërrohet në formë argëtimi. Kur një fëmijë inçizon dhunën dhe e shpërndan, ai nuk e bën këtë vetëm për të fshehur gjurmët, ai e bën sepse pret një audiencë. Dhe kjo audiencë jemi ne.

Prandaj, reagimi ndaj rasteve të tilla nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e dënimit moral apo institucional. Ai duhet të jetë gjithëpërfshirës. Familja duhet të rikthejë rolin e saj themelor në edukimin e fëmijëve përmes dialogut dhe pranisë së vazhdueshme. Shkolla duhet të forcojë mekanizmat e parandalimit dhe të reagimit, duke e trajtuar dhunën si prioritet dhe jo si episod të pakëndshëm. Ndërsa shoqëria, në tërësi, duhet të reflektojë mbi mesazhet që transmeton dhe mbi tolerancën që tregon ndaj sjelljeve të papranueshme.

Sepse në fund, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm si ndëshkohen autorët, por si parandalojmë që fëmijët të bëhen autorë të veprave të tilla.

Dhe kjo është një përgjegjësi që nuk i takon vetëm një individi apo një institucioni. Është një përgjegjësi që na takon të gjithëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.