Javën e ardhshme Ambasada e Suedisë do të dalë terren: Bashkëpunimi dhe partneriteti në fokus gjatë turit njëjavor në mbarë vendin

Ambasadori i Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Sohlström, javën e ardhshme (4–9 maj) do të udhëtojë në të gjithë territorin e vendit, duke vizituar të gjitha qytetet kryesore, me qëllim theksimin dhe kremtimin e lidhjeve dhe partneriteteve të shumta, të vjetra dhe të reja, ndërmjet dy shteteve. Theksi do të vendoset veçanërisht në kontributin e kompanive suedeze, në rezultatet nga bashkëpunimi suedez për reforma si dhe lidhjet e qëndrueshme kulturore, transmeton Portalb.mk.

Vizita, në kuadër të iniciativës “Ambasada në Terren” (Embassy on the Road), fillon të hënën në mëngjes në Shkup dhe përfshin ndalesa në Tetovë, Gostivar, Ohër, Strugë, Manastir, Prilep, Veles, Shtip, Strumicë dhe Kumanovë, përpara kthimit në Shkup në Ditën e Evropës, të shtunën më 9 maj. Gjatë kësaj jave në terren, Ambasadori dhe ekipi i tij do të eksplorojnë vende dhe shije lokale për ta njohur më mirë vendin, ndërsa gjatë gjithë javës do të takohen me autoritetet lokale dhe partnerët, me kompanitë Suedeze, shoqërinë civile dhe organizatat e komunitetit, diasporën dhe sipërmarrësit.

Turi fillon në Shkup, ku ambasadori do të vizitojë Rrugën “Stokholmska”, e emërtuar në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e Suedisë pas tërmetit të vitit 1963, si dhe Shtëpinë e Pleqve “Nënë Tereza”, e ndërtuar me ndihmën suedeze. Programi përfshin gjithashtu takime me kompani Suedeze të mëdha dhe të vogla që operojnë në Maqedoninë e Veriut, një Forum Biznesi në Manastir, të organizuar së bashku me Odën Ekonomike Suedezo-Maqedonase (OESM), Rrjetin e Alumni-ve suedezë dhe klubet rajonale Rotary, si dhe vizita në projekte të bashkëpunimit për reforma të financuara nga Suedia, me fokus në mbrojtjen e mjedisit, fuqizimin ekonomik, menaxhimin e mbeturinave dhe përfshirjen sociale.

Ngjarjet kulturore dhe veçoritë lokale të javës përfshijnë çiklizëm në itinerarin Trans Dinarica pranë Liqenit të Ohrit, një aktivitet rinor në Strugë mbi mbrojtjen e liqenit, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë, si dhe degustimin e specialiteteve rajonale si fasule ne tavë, bakllava dhe pastrmajli, për të përmendur disa prej tyre.

Aktiviteti #EmbassyOnTheRoad (Ambasada në terren) është një tjetër përpjekje inovative e Suedisë për të theksuar dhe promovuar lidhjet e forta ndërmjet Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut – si dhe të individëve dhe organizatave të cilët e çojnë përpara këtë partneritet – duke synuar njëkohësisht forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe konfirmimin e përkushtimit të palëkundur të Suedisë për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në zhvillimin e saj dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.