KULTURA E (VETË)PËLQIMIT (2)

(Vetë)njohje do të thotë të konstatosh drejt pozitën tënde në hierarkinë e qenies, në harkun e madh të ekzistencës. Kjo nuk është dije e thjeshtë, sepse dija në kuptimin e vërtetë ka kuptimin e “gjetjes”. Vetëm ata që gjejnë, ekzistojnë vërtetësisht. Ata që nuk gjejnë, gjenden, s’mund të jenë subjekt por vetëm objekt. Fizikisht janë, por jo në aspektin ekzistencial. “Njihe veten” do të thotë “gjeje veten”, shqip “bjeri në të vetes”, “kthjellohu”, gjeje vendin tënd në gjithësi, çdo gjë vendose në vendin e vet. Një person i kthjellët, që e ka njohur veten vërtetësisht, nuk mundet që gjithësinë ta shikojë me krenari, me mendjemadhësi, nuk mundet të vështrojë atë  nga një perspektivë narciste; ai veten e sheh si pjesë të asaj të vërtete; ai nuk mundet që të hyjë në konflikt me njerëzit, me botën, me qeniet e tjera; qenien e tjetrit/e të tjerëve nuk e percepton si një kërcënim për ekzistencën e vet, por si një pasqyrë ku do ta shpërfaqë vërtetësinë e vet; të tjerët i kundron si bashkëudhëtarë me të cilët do të kërkojë rrugët e bashkjetesës, të shumimit. Nëse njeriu nuk e ka këtë koncept, në aspektin individual kalon në individualizëm, në egoizëm, kurse në aspektin kolektiv, në racizëm. Kjo përtej narcizmit, shpie në një kataklizmë kolektive. Pogromet dhe gjenocidet janë “prodhime” të një mendësie të tillë të vetëpëlqimit ekskluzivist.

Në gjenezën e të gjitha lëvizjeve raciste qëndron ndjenja e epërsisë kolektive. Jam unë, identiteti im kolektiv, të tjerët janë gjëra, vegla për të më shërbyer mua. Ndërsa racisti i parë në histori ka qenë djalli: “Atë (njeriun) e krijove nga toka, mua nga zjarri, unë jam superior ndaj tij!” Urtësia antike na e mëson modestinë, e cila është një thelb ontologjik tepër i rëndësishëm, që na tregon shenja në drejtim të njohjes së aventurës tonë të vetëzbulimit, të luftës kundër madhërimit, absolutizimit, hyjnizimit të egos vetjake. Në kohën tonë kur gjithçka niset nga numri i like-ve, pëlqimeve, në kohën e shpejtësisë dhe kënaqësive të çastit, as shpejtësinë e rrokim e as kënaqësi përjetojmë, vazhdimisht jemi në gjendje të deprimimit. Kjo ngase gjithçka rrjedh në kundërti me natyrën e njeriut; kështu që veten e shohim të mangët, të prapambetur; në një botë hedoniste, kënaqësisynuese por dëshpërimprurëse. Ne si njerëz, duhet ta njohim, ta duam veten pa rënë në kurthin e narcizmit, t’i besojmë dhe ta respektojmë veten pa përçmuar askënd. Kur ta arrijmë këtë baraspeshë, rehatia jonë e brendshme bashkohet me rehatinë në univers. Atëherë në vend që të luftojmë me veten, me qeniet, shoqëritë, njerëzit e tjerë, me tjetrin, nisim t’i kërkojm shtigjet e bashkëudhëtimit. Në këtë rast në vend të shndërrimit të vetes në mall të kulturës së pëlqimeve, zgjedhim rrugë tjetër për të realizuar veten, rrugën e paqës me veten dhe me të tjerët.

Ne duhet që të shtrojmë pyetjen se pamja jonë a jemi vërtet ne apo maska në të cilën kemi hyrë për të na pëlqyer të tjerët. Për të shpëtuar nga kultura e pëlqemeve, nga sëmundja e urisë së pëlqimeve, kur ta shikojmë veten në pasqyrë, nuk duhet të përqendrohemi te fizikja, por te bukuria intelektuale, shpirtërore, estetika spirituale. Disa njerëz mundohen që të na bëjnë për vete, të ndikojnë te ne nëpërmjet pozitave, posteve, parave, shtëpive, anijeve që kanë. Unë u them: “S’mund të më mahnisni me to! Mundohuni të ndikoni tek unë përmes arsyes, inteligjencës, zemrës, punës së mirë, me një shkathtësi, art, me sinqeritetin, përkushtimin.” Për këto s’ka nevojë për pasuri materiale. Përderisa i bëni këto, dashuria, respekti, vetëbesimi nuk do të gjenerojnë narcizëm, padrejtësi ndaj të tjerëve. Duhet të kalojmë nga Narcisi njerëzor i pashëm dhe egocentrik te narcisi si lule e ndjeshme dhe shpresëdhënëse. Duhet të detiksifikohemi nga kultura e (vetë)pëlqimit nëse duam shëndetin shpirtëror. Dashuria e tepruar për veten, siç shihet tek narcisizmi, mund të ndikojë negativisht në jetën tënde dhe në jetën e atyre përreth nesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.