Kultura e anulimit (2)

Përderisa disa e shohin kulturën e anulimit si një mjet për të mbajtur figurat e fuqishme përgjegjëse, kritikët argumentojnë se ajo mund të gjenerojë pabarazi, duke ndikuar më rëndë tek ata që kanë më pak privilegje. Personat me profil të lartë shpesh kanë mundësi dhe mjete për të përballuar pasojat, ndërsa njerëzit e zakonshëm mund të humbin vendin e punës apo mënyrën e jetesës për shkak të fushatave në rrjetet sociale. Dinamika e kulturës së anulimit pasqyron ndarjet më të thella shoqërore dhe tregon se identitetet sociale ndikojnë në mënyrën se si ndërveprojmë dhe reagojmë ndaj sjelljeve të konsideruara të papranueshme. Në tërësi, kultura e anulimit është një çështje komplekse dhe në zhvillim, që nxit debate të mëdha rreth përgjegjësisë, lirisë së shprehjes dhe fuqisë së mediave sociale në shoqërinë bashkëkohore. (ebsco.com)  

Lisa Nakamura, profesore në Universitetin e Miçiganit, e cila studion ndërveprimin midis mediave digjitale dhe racës, gjinisë dhe seksualitetit, e përkufizon kulturën e anulimit si “një bojkot kulturor… një marrëveshje për të mos e mbështetur një entitet, për të mos i dhënë jehonë, për të mos kontribuar financiarisht në favor të tij.” Ky përkufizim thekson se kultura e anulimit nuk është domosdoshmërisht një akt dhune apo ndëshkimi fizik, por një mospjesëmarrje kolektive në promovimin apo mbështetjen e individëve që janë perceptuar se kanë vepruar në mënyrë të dëmshme apo problematike.  

Në disa gjuhë kjo sintagmë si sinonime ka “kulturën e linçimit”, “bullizimin kibernetik” dhe “censurën”. Rasti i “gozhdimit publik” të një hoxhe kosovar (I.S.) para disa viteve është shembull tipik i linçimit social. Nga ana tjetër, edhe botëkuptimi fetar di të gjenerojë gjithashtu anulim masovik siç është shembulli i një pjese të shqiptarëve myslimanë që pa kurrfarë filtrimi racional dhe pa parë anën tjetër të medaljes kanë fshirë nga “fletorja e tyre” figura si Nënë Tereza, Ismail Kadare etj. Selefizmi si një ideologji e “dëlirësisë apo purizmit” s’do të dëgjojë fare për intelektë si Ebu Hanife, Junus Emre, Kardavi e të ngjashëm.  

Në kontekstin tonë shqiptar, sociologjikisht, me termin “kultura e anulimit” më e afërt duhej të ishte fjala “leçitje”, folje kjo që ka kuptimet braktis, veçoj, bojkotoj dikë, as marr as jap me të për dasëm as për vdekje, ndërpres marrëdhëniet me dikë. (Elezi, 2016) Leçitja është një nga llojet e ndëshkimeve në të drejtën zakonore shqiptare (Gschwend, 2013): “Me leçitë…: me da, me lanë mbas dore e me shkepë nji shpi tuj ia hjekun çdo tagër…” (Kanuni i Lekë Dukagjinit)  

Anulimi publik do të ishte një mjet i fuqishëm kundër reciklimit të figurave të harxhuara dhe të diskredituara që s’kanë çfarë t’i japin shoqërisë. Në përditshmërinë tonë shqiptarët e përdorin edhe shprehjen “të kam fshi nga jeta ime”, “ti për mu s’ekziston më”. Është për të ardhur keq se këtë formë të shprehjes së mospajtimit me dikë fryma shqiptare e ka shndërruar në atak publik ndaj çdokujt që mendon dhe sillet ndryshe, madhe edhe ndaj njerëzve që s’janë gjallë.  

Të përfundojmë: kultura e anulimit e cila konsiderohet si produkt i të majtës amerikane, nuk është e barabartë me sipërfaqësoren block apo unfriend të rrjeteve sociale, është diçka më serioze se aq; sipas disave ky trend ndikon në kulturën e drejtësisë (justice culture, D’Amour, 2025), kurse të tjerë këtë veprim e kanë quajtur antikulturë, jokulturë që duhet të anulohet (to cancel ‘cancel culture’), atentat ndaj famës, prestigjit të dikujt dhe si një frymë që u jep fuqi toksike njerëzve në internet dhe më gjerë.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.