Ku shkuan paratë e Verës Tetovare? Raporti i vjetshëm mbetet mister derisa po afron edicioni i ri

Në prag të fillimit të Verës Kulturore Tetovare 2026, ende nuk është prezantuar raporti se sa para dhe për çfarë u harxhuan gjatë Verës Tetovare të vitit të kaluar 2025. Pavarësisht premtimeve për transparencë, ky raport ende mbetet nën hije, shkruan Portalb.mk.

Më 8 qershor 2026, gazetari i Portalbit e pyeti kreun e Tetovës, Bilall Kasamin se pse ende nuk është bërë publik ky raport, edhe pse si redaksi e kemi kërkuar.

“Brenda javës nëse nuk e përgatitin do vish te unë dhe do e kërkojmë bashkë”, na u përgjigj shkurt Kasami.

Pas kësaj, raportin e kërkuam nga Komuna e Tetovës edhe përmes shkresës zyrtare nëpërmjet emailit, por java mbaroi dhe ky raport nuk na u dërgua.

Mbetet të shihet nëse gjatë javës që vjen kreu i komunës do na e sigurojë raportin, siç na tha gjatë brifingut me gazetarët të hënën.

Kujtojmë se siç patën deklarua nga Komuna e Tetovës para fillimit të manifestimit të Verës Tetovare vjet, organizimi do të kushtonte rreth 10 milionë denarë, apo rreth 160 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasamikonferencën për shtyp gjatë prezantimit të programit tha se pas manifestimit do të ketë raport të detajuar.

“Në fund të këtij manifestimi sigurisht që do të kemi një raport para opinionit ku në mënyrë transparente do të prezantohet komplet buxheti sa janë harxhuar, si janë siguruar dhe ku kanë shkuar”, tha Kasami më 15 korrik 2025.

Ndërkaq, më pas në shtator 2025 e pyetëm Kasamin se pse nuk është publikuar raporti, aso kohe tha se nuk ka pasur mundësi ta kërkojë të njëjtin.

“Për shkak të dinamikës të angazhimeve tash edhe parazgjedhore nuk kam pasur unë mundësinë që ta kërkoj një raport të tillë, por besoj që mesazhi është përcjellë edhe besoj që brenda javës që vjen do ta kemi raportin për verën kulturore”, tha Kasami më 11 shtator 2025.

Por as atëherë raporti nuk na u dërgua.

Ndryshe, Vera Tetovare vitin e kaluar u mbajt nga 16 korriku deri më 3 gusht. Programi ishte i ndarë në disa kategori: Ditët e sportit, kultura, folklori, netët e filmit, netët rinore dhe festa në shesh.