Sot fillon ‘Vera Tetovare’, ja çfarë ju pret deri me 3 gusht

Nga sot (16 korrik) dhe deri më 3 gusht do të mbahet ‘Vera e Kulturës Tetovare’ nën moton “Tetova n’Festë’, e cila do të sjellë para qytetarëve një program të begatshëm kulturor, artistik dhe sportiv, raporton Portalb.mk.

Duke e prezantuar programin e këtij viti, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se qëllimi i këtij organizimi është promovimi i një jetese aktive, të shëndetshme dhe të qasshme për të gjitha grupmoshat. 

Programi i këtij viti është i ndarë në disa kategori: Ditët e sportit, kultura, folklori, netët e filmit, netët rinore dhe festa në shesh.

“Synimi është zhvillimi i kapaciteteve kulturore dhe përforcimi i kujtesës kolektive. Programi i netëve të komuniteteve, që do të zhvillohet në sheshin qendror, është i ndarë sipas përfaqësimit të komuniteteve që bashkëjetojnë në Tetovë: shqiptar, maqedonas, turk dhe rom”, tha Kasami. 

Ky organizim do të kushtojë buxhet rreth 10 milionë denarë nga të cilat një pjesë do të jenë të ndara nga buxheti i Komunës së Tetovës dhe pjesë tjetër nga donatorë. Pas përfundimit të organizmit Kasami tha se do të dalin me raport të detajuar për shpenzimet. 

Më poshtë e gjeni programin e plotë të ‘Verës Tetovare’ për këtë vit.

Programi i Verës Tetovare 2025. Foto: Komuna e Tetovës
Programi i Verës Tetovare 2025. Foto: Komuna e Tetovës