KSHZ refuzoi kandidaturën e VLEN-it për kryetar të Komunës së Butelit

Koalicioni qeveritar VLEN nuk do të ketë kandidat për kryetar të Butelit, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe më pas edhe Gjykata Administrative e kanë refuzuar kandidaturën, njofton TV21.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Behar Emini nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

“KSHZ-ja refuzoi t’i pranojë dokumentet e dorëzuara me pak vonesë, ndërsa Gjykata Administrative – si çerdhe e gjykatësve të vendosur nga pushteti i kaluar – vetëm e konfirmoi qëndrimin e KSHZ-së. Sidoqoftë, përkundër shijes së keqe që na e lënë institucionet e a.q. të drejtësisë, ne do të marrim pjesë në këto zgjedhje, duke u përfaqësuar me bartësin e listës së këshilltarëve të VLEN-it për Komunën e Butelit, Behar Rexhepi, i cili përveçse e gëzon mbështetjen time të plotë, jam i bindur se do të jetë edhe zëri më i denjë i të gjithë qytetarëve të Komunës së Butelit në këshillin e ardhshëm komunal!”,  ka shkruar Emini.

Afati për dorëzimin e kanidaturave përfundpoi më 13 shtator. Në komisionet zgjedhore komunale janë dorëzuar gjithsej 312 lista kandidatësh për kryetarë komunash dhe 575 lista kandidatësh për këshilltarë të komunave dhe Qytetit të Shkupit. Ky numër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e dorëzuara nga një grup votuesish,

Pas përfundimit të verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe procesit të heqjes së çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet zgjedhore komunale i dorëzojnë listat e konfirmuara në Komisionin Shtetëror Zgjedhor për përcaktimin e renditjes në listën unike të kandidatëve, menjëherë pas konfirmimit të listës, pra jo më vonë se 20 shtatori 2025.