Siljanovska-Davkova me rastin e 80-vjetorit të OKB-së: Shtetet e vogla duhet të jenë mbështetësit më të zëshëm të multilateralizmit

Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dërgoi një mesazh ku theksoi rëndësinë e multilateralizmit, reformave në OKB dhe rolin e shteteve të vogla në ruajtjen e rendit global të bazuar në rregulla, transmeton Portalb.mk.

“Kombet e Bashkuara u ngritën nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar luftëra të ardhshme, për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të avancuar drejtësinë. Tetë dekada më vonë, për fat të keq, shumë nga ato arritje janë minuar”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo paralajmëroi se sistemi multilateral po bëhet gjithnjë e më i paralizuar pikërisht në kohën kur është më i nevojshëm, duke theksuar se sot OKB-ja po i afrohet një momenti të ngjashëm me atë të Lidhjes së Kombeve – një shembull historik i një sistemi të dështuar të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Qytetarët maqedonas i kanë ndjerë standardet e dyfishta që nga dita e parë e anëtarësimit tonë në OKB në vitin 1993″, deklaroi presidentja, duke bërë thirrje për një multilateralizëm të drejtë dhe efikas.

Siljanovska-Davkova theksoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për miratimin e ‘Paktit për të Ardhmen’, të cilin e quajti një ‘kontratë të re globale shoqërore’ që i kujton të gjitha shtetet jo vetëm për të drejtat e tyre, por edhe për detyrimin që të kujdesen për sistemin e përbashkët ndërkombëtar.

“Ky përvjetor është një thirrje për zgjim. Varet nga ne nëse OKB-ja do të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme me paqe, drejtësi dhe përparim në një planet të shëndetshëm”, tha ajo.