KSHZ do të vendosë pas ankesës së Frontit Evropian

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot duhet të vendosë për ankesën e Frontit Evropian për rivotimin në vendvotimin 2101 në Komunën e Zhelinës, transmeton Portalb.mk.

Për KSHZ-në nuk ka pasur ankesa të tjera për rivotimin e 22 majit në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore.

Kandidatët kanë të drejtë ankese kundër vendimit të KSHZ-së në Gjykatën Administrative, e cila, nga ana tjetër, duhet të vendosë brenda 48 orëve pas pranimit të ankesës.

Pas rivotimit në vendvotimin 2101 në Llërcë të Zhelinës, Koalicioni “Fronti Evropian” ka humbur një deputet në krahasim me rezultatet e 8 majit, ndërsa Koalicioni “Vlen” ka fituar një deputet.

Sipas rezultateve fillestare pas rivotimit në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6 të Zgjedhjeve Parlamentare 2024, koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 mandate parlamentare, ndërsa koalicioni “Fronti Evropian” kryesuar nga BDI-ja humbi një deputet dhe ka 18 mandate parlamentare, njësoj si Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane të udhëhequr nga LSDM.

Koalicioni “Vlen” pas rivotimit fitoi një deputet më shumë dhe tani ka 14, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe e Majta mbeten me nga gjashtë mandate deputetësh.