KSHZ: Në Bërvenicë votimi po zhvillohet pa probleme, kanë votuar 85 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm

Votimi në Bërvenicë sot ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe po zhvillohet pa ndërprerë, pa probleme të paraqitura ose vështirësi gjatë realizimit të së drejtës së votimit, informuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), njofton Portalb.mk.

Sipas informatave të deritanishme të mbërritura deri te KSHZ-ja, nga gjithsej 88 të sëmurë ose të pafuqishëm, të drejtën e votës e kanë realizuar 85 persona.

Nga gjithsej nëntë persona të cilët janë të regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa janë në vuajtje të dënimit me burg ose paraburgim, deri tani kanë votuar shtatë.

Nga KSHZ-ja informojnë se votimi i këtyre personave po realizohet në tre institucionet ndëshkuese përmirësuese në territorin e shtetit, edhe atë në qytetet Shkup, Shtip dhe Tetovë.

Në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës votohet për gjashtë kandidatë nga katër blloqe politike dhe dy kandidatë të pavarur. Stojanço Radiçeski është kandidat i koalicionit “Tvoja Makedonija” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Jovica Radeski nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës 2026, kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski, Jakup Useini nga Koalicioni VLEN, kandidatja e pavarur Arife Idrizi dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).

Funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të komunës gjatë muajve të kaluar e ka ushtruar Robert Millosheski.

Nesër vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe votimi zgjat deri në orën 19:00.

Në Listën Zgjedhore në dhjetë vendbanimet e Bërvenicës janë të regjistruar 16.256 zgjedhës me të drejtë vote, prej të cilëve 449 janë me punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg apo në paraburgim janë nëntë votues.