Dy të plagosur dhe një i vdekur nga të shtënat e mbrëmshme me armë në rrugën e Plastikave në Shkup

Dy persona janë plagosur, ndërsa i treti ka ndërruar jetë në klinikat e Shkupit, në një përleshje të ndodhur mbrëmë në rrugën e Plastikave në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Fillimisht u raportua në polici në orën 23:40 se ka pasur të shtëna me armë zjarri në Blv.Nikolla Karev, ku kanë mbetur të plagosur disa persona. Në orën 23.45 u raportua se një person, T. A. me lëndime nga armë zjarri është dërguar në Spitalin Komunal Naum i Ohrit.

Në orën 23:51, Qendra Emergjente njoftoi se pranë tyre janë sjellë 2 persona, gjithashtu me plagë nga armë zjarri.

Bëhet fjalë për personat O. B. dhe A.I. nga Shkupi, njofton Skopje Info, edhe pse MPB ende nuk ka dalë me inicialet e personave, mirëpo ngjarjen e ka konfirmuar prokuroria. Në orën 00:45 nga Qendra Urgjente është raportuar se personi A.I, përndryshe këngëtar i njohur në rajoni e Shkupit, ka ndërruar jetë.

Prokuroria Publike e ka konfirmuar rastin dhe njoftoi se janë kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe është lëdhuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve.

“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, së bashku me ekipet hetuese të MPB-së, gjatë natës kanë kryer hetim në bulevardin “Nikolla Karev”, ku nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë një person, ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprime të tjera. Ministria e Punëve të Brendshme po punon për zbulimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.