KShPK: Ne e kemi bërë tonën, fakti që nga 56 nisma nuk ka asnjë kallëzim dhe akuzë është faj i autoriteteve tjera

Ne e kemi kryer punën tonë, kemi 56 iniciativa për ngritjen e kallëzimeve penale, ndërsa se asnjë nuk është iniciuar është përgjegjësi e autoriteteve tjera në shtet, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për mandatin pesëvjeçar të kësaj përbërjeje. Ivanovska dhe anëtarët e Komisionit Kundër Korrupsion besojnë se e kanë rikthyer besimin në këtë institucion dhe kanë krijuar një sistem që do t’ua lehtësojë edhe më shumë punën anëtarëve të rinj, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kemi faj që askush nuk vepron. A e sjellë një lule pranverën? Jo, duhet të veprojnë edhe autoritetet e tjera, ndjekja e korrupsionit nuk mjafton që ne dhe Revizioni shtetëror të veprojmë. Nuk mund të marrim përgjegjësi për të gjithë, secili duhet të pastrojë oborrin e tij. Këtu, për shembull, kemi bërë iniciativa të ndjekjes penale për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko dhe biznesmenin Koço Angjushev, por lëndët na janë kthyer. Disa muaj më vonë, të dy u futën në listën e zezë nga SHBA. Kjo do të thotë se puna dhe dyshimet tona kanë qenë të drejta”, tha Ivanovska.

Në pesë vitet e fundit, kjo përbërje e Komisionit Kundër Korrupsionit ka hapur 5283 çështje, nga të cilat 2872 në fushën e korrupsionit, 888 në fushën e konfliktit të interesit, 144 në fushën e ndalimeve gjatë procesi zgjedhor dhe 1379 lidhur me kontrollin e gjendjes pasurore. Janë dhënë 898 urdhërpagesa për shkelje të ligjit dhe janë arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 8 milionë euro gjoba.

Mandati i kësaj përbërje të KSHPK-së përfundon më 8 shkurt, kur merr detyrën përbërja e re e kryesuar nga Tatjana Dimitrovska, ekonomiste e diplomuar nga Shkupi dhe punonjëse e Entit Shtetëror të Auditimit (EShA), ndërsa anëtarët janë gjyqtarja e Gjykatës Themelore Sofia Spasova-Medarska, dy ish-këshilltaret në KSHPK-së, Biljana Karakashova-Shulev dhe Besnik Xhmaili, dhe auditorët Zoran Bogoevski, Cveta Ristovska dhe Demiri Servet.