Pas jurisprudencës edhe instruktorët e autoshkollave kërkojnë provim në shqip, MPB-ja nuk ka pranuar kërkesë
Një grup instruktorësh të autoshkollave kërkon që testi profesional për marrjen e licencës për instruktorë të auto-shkollave të jepet edhe në gjuhën shqipe përveç asaj maqedonase, megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se nuk kanë pranuar kërkesë të tillë dhe se në fazën fillestare provimi do jepet në maqedonisht, shkruan Portalb.mk.
Grupi i instruktorëve thekson se para pesë viteve u është premtuar se testi për licencë për instruktorë do të ofrohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar deri më sot.
“Tani, kur testi do të mbahet këtë vit dhe afati është i afërt, situata bëhet edhe më shqetësuese. Kandidatët shqiptarë po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë, pasi testi për licencë për instruktorë vazhdon të mos ofrohet në gjuhën shqipe. Kërkojmë zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e instruktorëve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan për Portalb.mk se deri te ata nuk ka arritur kërkesë për dhënien e provimit në shqip.
“Pas një periudhe më të gjatë kohore ka filluar sërish punën Komisioni për zhvillimin e provimit profesional për aftësim për punë të kandidatëve për ushtrimin e detyrave si ligjërues dhe instruktor vozitjeje në auto-shkollë, kontrollor, pyetës, sipas programit mësimor nga rregullat dhe dispozitat e komunikacionit (pjesa teorike) dhe sipas programit mësimor për drejtimin e automjetit (pjesa praktike), ndërsa në fazën fillestare në qendrën e provimit testimet do të zhvillohen në gjuhën maqedonase”, thanë nga MPB.
Kujtojmë që para pak ditëve MPB-ja njoftoi kandidatët për ushtrimin e veprimtarisë si ligjërues dhe shofer -instruktor në autoshkollë, kontrollor, pyetës se dhënia e provimit profesional për aftësim për punë me qëllim të pajisjes me licencë për punë do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë.
“Kandidatët që kanë dorëzuar dokumentacion të plotë do të njoftohen, në përputhje me afatin e paraparë me ligj, për datën dhe orën e zhvillimit të provimit profesional”, tha MPB.
Ndryshe, kohën e fundit aktuale ka qenë edhe kërkesa e studentëve për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila shkaktoi reagime dhe përplasje politike.