Fatmir Limani shkoi me veturë zyrtare në mbledhje të Lëvizjes Besa
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, mbrëmë në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Lëvizjes Besa shkoi me veturën zyrtare të Qeverisë, kështu duke hapur përsëri dilemën e keqpërdorimit të veturave zyrtare për qëllime partiake, shkruan Portalb.mk.
Kamerës së Portalb-it nuk i shpëtoi ardhja e ministrit Limani me veturë zyrtare në mbledhjen partiake, ku mes tjerash u diskutua edhe u puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri.

Nisur nga kjo, e pyetëm kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin se a do kërkojnë llogari nga Limani për përdorimin e veturës zyrtare për qëllime partiake.
“Po patjetër që ne kemi diskutuar, dhe është si qëndrim i partisë edhe i VLEN-it që resurset qeveritare, publike të mos keqpërdoren për aktivitete partiake, e dimë që edhe në kuadër të qeverisë ka një ministër që merret me këtë çështje. Edhe tani me informimin tuaj e njëjta çështje nga ne do të ngrihet si problematikë në qeveri. E dini që edhe në raste tjera në nivel lokal nuk kam toleruar keqpërdorime të mjeteve publike për interesa qoftë partiake apo personale”, tha Kasami.
Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetait thonë se do ndërmerren masa për këtë rast.
“Në bazë të deklaratës së Ministrit për Politikën Sociale, Demografinë dhe Rininë dhe pas konstatimit të gjendjes faktike, Zëvendëskryeministri për Politikat të Qeverisjes së Mirë do të ndërmarrë masat e duhura sipas Kodit të Sjelljes Etike për anëtarët e Qeverisë dhe personat me funksione publike të emëruar nga Qeveria”, thanë nga Kabineti i Fetait për Portalb.mk.
Megjithatë, nga Ministria e Politikës Sociale me të cilën udhëheq Fatmir Limani u arsyetuan se ministri ka vendbanim të përhershëm në Komunën e Kërçovës dhe për shkak të kryerjes së detyrimeve që rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të ministrit, çdo ditë udhëton në relacionin Shkup–Kërçovë dhe anasjelltas.
“Ndërkohë, takimi partiak u zhvillua në selinë që ndodhet në Tetovë, ndërsa kjo komunë është në drejtimin e lëvizjes drejt Kërçovës, përkatësisht vendbanimit të tij. Nga kjo rezulton se pjesëmarrja në takim paraqet vetëm një ndalesë të ndërmjetme gjatë lëvizjes drejt shtëpisë së tij”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Portalb.mk rastin e paraqiti edhe në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojte nga Korrupsioni, por nga ky institucion deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që veturat zyrtare të funksionarëve të koalicionit VLEN përdoren në takime partiake.