Kryeministrja daneze: Vendi ynë është në udhëkryq, SHBA po i kthen shpinën NATO-s

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen ka thënë se vendi i saj është në një “moment fatal” mes kërcënimeve të Donald Trump për të marrë Groenlandën, duke akuzuar SHBA-në se potencialisht po i kthejnë shpinën NATO-s, raporton The Guardian.

Duke folur në një debat të liderëve të partisë në një tubim politik të dielën, kryeministrja daneze tha se vendi i saj ishte “në një udhëkryq”.

Komentet e saj erdhën përpara një jave vendimtare në marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara midis Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së, në të cilën ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Grenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, do të takohen me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

“Jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment fatal”, tha Frederiksen. “Ajo që është në rrezik është më e madhe se ajo që syri mund të shohë, sepse nëse ajo që përjetojmë nga amerikanët është se ata në të vërtetë po i kthejnë shpinën aleancës perëndimore, se po i kthejnë shpinën bashkëpunimit tonë në NATO duke kërcënuar një aleat, gjë që nuk e kemi përjetuar më parë, atëherë gjithçka do të ndalet”.

Të premten, Trump tha se SHBA-të do të ndërmarrin veprime ndaj Groenlandës, “pavarësisht nëse u pëlqen apo jo”. Ai tha: “Ne do të bëjmë diçka me Grenlandën, qoftë në mënyrën e mirë ose në mënyrën më të vështirë”. Administrata e tij ka refuzuar vazhdimisht të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake – pavarësisht se Danimarka dhe Grenlanda janë aleate të NATO-s.