Kovaçevski-Sholz: Gjermania e pret Maqedoninë në BE, me vendim shtetëror për të vazhduar në rrugën evropiane

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pati një takim të shkurtër me kancelarin gjerman, Olaf Sholc, në kuadër të manifestimit për shënimin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, që u mbajt në selinë e Organizatës në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski e uroi kancelarin Sholz për anëtarësimin jubilar të Gjermanisë në KB dhe kontributin e madh të Republikës Federale të Gjermanisë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë, Evropës dhe botës.

Kryeministri falënderoi kancelarin për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të KB-së, por edhe në bazë dypalëshe në 30 vitet e fundit, gjë që thekson Gjermaninë si një nga partnerët më të afërt evropianë të vendit tonë.

Në takim u theksua se Gjermania pret që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian dhe rruga evropiane janë alternativa më e mirë dhe e vetme për vendin. Vendimi shtetëror që duhet të merret në periudhën e ardhshme është e vetmja mundësi për të siguruar cilësinë e jetës së qytetarëve të RMV-së sipas standardeve evropiane dhe për të arritur anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Përndryshe, siç vlerësohet, qytetarët dhe shteti maqedonas me siguri do të përballen me izolim afatgjatë, gjë që nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut, rajonit dhe Evropës.

Kryeministri Kovaçevski e falënderoi kancelarin Sholz për mbështetjen e madhe që marrim nga Gjermania në integrimet demokratike, evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. E njëjta gjë pasqyrohet qartë edhe në rezolutën e miratuar nga Bundestagu Gjerman që konfirmon përkushtimin tonë për integrim të përshpejtuar evropian me gjuhë, kulturë dhe identitet maqedonas.

“Ky është konfirmim për nevojat dhe interesat nacionale dhe strategjike të qytetarëve të RMV-së”, tha Kryeministri Kovaçevski në takimin me kancelarin Sholz.

Kujtojmë se delegacioni shtetëror i kryesuar nga presidenti Stevo Pendarovski prej dje e deri më 22 shtator po merr pjesë në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në delegacionin shtetëror të Maqedonisë janë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në kuadër të aktiviteteve të presidentit Pendarovski në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Pendarovski sot pasdite me orën e Maqedonisë në Nju Jork do të marrë pjesë në hapjen e debatit të përgjithshëm të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai do të mbajë fjalim në debatin e përgjithshëm të premten, më 22 shtator 2023.

Presidenti Pendarovski në orët e vona të pasdites me orën e Maqedonisë do të ketë takime bilaterale me mbretin e Jordanisë, Abdullah II dhe me presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides.

Presidenti sot do të marrë pjesë në drekë pune të organizuar nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borel, me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Pendarovski sonte do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Pendarovski gjatë ditës së djeshme foli në samitin kushtuar përmbushjes së synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, pati një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz, si dhe takime të shkurtra me presidentin austriak Alexander Van der Bellen, presidenten sllovene Natascha Pirc-Musar, kryeministrin e Suedisë Ulf Christerson dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidenti Pendarovski dje në mbrëmje mori pjesë në pritjen me rastin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Republikës Federale të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, të organizuar nga kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermani, Analena Baerbock dhe Ministrja Federale e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë, Svenja Schulze.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë pritet të jetë temë kryesore për të dytin vit me radhë, kur udhëheqësit të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Shumë nga vendet në zhvillim po shpresojnë t’i kushtohet vëmendje çështjeve të rëndësishme për ta, përfshirë zhvillimin, inflacionin dhe ndryshimin klimatik.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.