Maqedonia e Veriut dhe Afrika e Jugut vendosën marrëdhënie diplomatike

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, nënshkruan komunikatë të përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, në kuadër të seancës së 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Afrikës së Jugut i konfirmon zotimet tona për të ndërtuar marrëdhënie miqësore dhe partneritete me vendet gjeografikisht të largëta. Hapja e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve ofron mundësi shtesë për zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe të biznesit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në nivel shumëpalësh”, theksoi Osmani.

Akti i zyrtarizimit të miqësisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Afrikës së Jugut paraqet bazë të mirë për zhvillimin e bashkëpunimit në një sërë fushash si kultura, turizmi, shëndetësia, si dhe për ndërtimin e kornizës kontraktuale.

Afrika e Jugut është vendi i 182-të me të cilin Maqedonia e Veriut ka vendosur marrëdhënie diplomatike.

Kujtojmë se delegacioni shtetëror i kryesuar nga presidenti Stevo Pendarovski prej dje e deri më 22 shtator po merr pjesë në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në delegacionin shtetëror të Maqedonisë janë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Pendarovski do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit në debatin e hapur me temë “Përkrahja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”.

Kreu i Shtetit do të marrë pjesë gjithashtu në hapjen e Forumit të Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm nën kujdesin e Asamblesë së Përgjithshme dhe do të trajtojë dialogun e lidershipit “Rritja e aktiviteteve kyçe të tranzicionit për përshpejtimin e progresit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shtojnë nga kabineti presidencial, Pendarovski do të ketë takime bilaterale edhe me krerë të tjerë të shteteve, pjesëmarrës të Asamblesë së Përgjithshme.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Pendarovski do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elizabeta Gjorgievska, ndërsa do të vizitojë Nju Xhersin, ku është paraparë të takohet me përfaqësues të komunitetit maqedonas. Ai do të vizitojë edhe Çikagon, ku do të marrë pjesë në darkën gala humanitare “Rrugët drejt prosperitetit” të organizuar nga bordi i drejtorëve të “Maqedonia2025” dhe do të dekorojë drejtorin e Boeing, David L. Calhoun me Urdhrin “8 Shtator”.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë pritet të jetë temë kryesore për të dytin vit me radhë, kur udhëheqësit të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Shumë nga vendet në zhvillim po shpresojnë t’i kushtohet vëmendje çështjeve të rëndësishme për ta, përfshirë zhvillimin, inflacionin dhe ndryshimin klimatik.