Kovaçevski: Me ndryshimet ligjore që e bëjnë “listën e zezë” amerikane bazë për sanksione në vend, përmbushet një nga standardet e NATO-s

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se me sjelljen e amendamenteve ligjore që do ta bëjnë “listën e zezë” amerikane bazë për sanksione edhe në vend, po përmbushet një nga standardet e NATO-s. Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, të cilat i paralajmëroi dje ministri Bujar Osmani, kryeministri tha se kjo është kërkesë edhe e bashkësisë ndërkombëtare, duke pasur parasysh se vendi është pjesë e NATO-s, transmeton Portalb.mk.

“NATO nuk është vetëm të vendosësh flamur dhe të thuash se je vend anëtar i NATO-s, por ka edhe standarde që duhen përmbushur. Në një pjesë të madhe të institucioneve tashmë i përmbushim standardet dhe një nga standardet do të jetë ky”, tha Kovaçevski.

Ndryshimet në Ligjin për Masat Kufizuese, siç tha Kovaçevski, do të mundësojnë që të njëjtët persona të cilët janë cak i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar të procedohen në vend, të pajisen me dëshmi nga vendet që kanë bërë sanksionet në përputhje me ligjet e tyre dhe dëshmitë që i kanë ato.

“Ndryshimet legjislative duhet të bëjnë një transpozim praktik të diçkaje që kishim, që kishte të bënte me subjektet që janë të sanksionuara nga OKB-ja, BE-ja dhe tani do të shtrihet në SHBA dhe Britaninë e Madhe, sepse bëhet fjalë për subjekte që janë të sanksionuara sipas legjislacionit të tyre”, tha Kovaçevski.

Sipas kryeministrit, nuk mundet që dikush në vend në mëngjes të mburret se është miku më i mirë me SHBA-në dhe pasdite të bëjë gjithçka kundër tyre.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për masat kufizuese, sipas të cilave kufizimet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar do të jenë bazë për sanksionet në vend, janë me iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Qëllimi i ndryshimeve ligjore, siç paralajmëroi ministri Bujar Osmani, është zgjerimi i fushës së masave kufizuese dhe instrumenteve që shteti ka në dispozicion në këtë drejtim.

Ndryshe, Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që janë futur në “listën e zezë” të SHBA-së në periudhën e fundit. Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev ishte i fundit në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv, siç bëhet e ditur në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Atij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2023.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit tashmë janë EDHE Ljube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni. Ndërsa në vitin 2003 nga presidenti Bush, nga kjo listë u hoqën emrat e Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Hysni Shaqirit.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.

Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.