Kosovë, ​vazhdimi i mandatit në rrezik, deputetët e Listës Serbe erdhën sa për t’u nënshkruar dhe lëshuan seancën

Pas një mungese prej gati pesë muajsh, deputetët e Listës Serbe janë rikthyer në Kuvend të enjten në seancë vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit, transmeton Telegrafi.

Ata u rikthyen në Kuvend për të mos djegur mandatet e deputetit, rrjedhimisht për të mos humbur benefitet.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, pika 5, mandati i deputetit përfundon kur mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit.

Pas disa minutave, deputetët e Listës Serbe lëshuan seancën e Kuvendit.

Mungesa e tyre në Kuvend shpesh ka qenë cak i diskutimeve se nuk përfaqësojnë e nuk përçojnë interesat e qytetarëve serbë në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës.