Kosovë, sot ditë zie në nderim të policit të vrarë në veri, presidentja Osmani ndau urdhrin “Hero i Kombit”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dje e shpalli ditën e sotme, ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, transmeton Portalb.mk.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, njoftuan nga kabineti i presidentes.

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar në një mbledhje komemorative pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator në përleshjet me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dhe pjesëtarët e Policisë dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuar nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtjen, integritetin territorial dhe sovranitetin dhe vunë në vend dinjitetin e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani

Kujtojmë se tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e 24 shtatorit në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Sipas tij, dy nga të arrestuarit janë “të plagosur, me uniformë dhe të armatosur”, ndërsa katër të tjerë kanë qenë në mbështetje të sulmit me radio-lidhje.

Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter.

Sulmin e armarosur e dënuan Bashkimi Evropian dhe ShBA-të.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier  th se “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në një deklaratë për media ka thënë se dënon ashpër sulmin.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e Borrellit.