Kosova sot shënon 18 vjet shtetësi, uruan krerët shtetëror
Sot Kosova shënon 18 vjetorin e Pavarësisë e cila u shpall më 17 shkurt 2008, duke kurorëzuar një proces të gjatë historik të qëndresës politike, sakrificës njerëzore dhe angazhimit ndërkombëtar për paqe e stabilitet në Ballkan. Kjo datë shënon një kthesë vendimtare për shqiptarët e Kosovës dhe për rajonin, pas dekadash diskriminimi institucional dhe një lufte shkatërruese që ndryshoi përgjithmonë realitetin politik në Evropën Juglindore, shkruan Portalb.mk.
Më 17 shkurt 2008, ditë e diel, në ambientet e Kuvendit të Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo ditë shënoi një kthesë historike jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin e Ballkanit, i cili fitoi një shtet të ri.
Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu dhe Kryeministri Albin Kurti, bënë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit, duke nderuar kontributin e tyre në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti theksoi se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave dhe se disa nga përfaqësuesit e shpalljes së pavarësisë ndodhen padrejtësisht në Hagë, por kontributi i tyre mbetet i çmuar.
Ai nënvizoi se Kosova qëndron mbi vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, duke theksuar se çdo qytetar është i barabartë para ligjit. Kurti përmendi si arritje 121 njohjet ndërkombëtare, forcimin e institucioneve, rritjen ekonomike, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, sukseset në sport e kulturë, si dhe liberalizimin e vizave dhe hapat drejt integrimit evropian.
Në fund, ai bëri thirrje për angazhim të përbashkët për zhvillimin dhe forcimin e mëtejmë të shtetit, në shërbim të brezave të ardhshëm.
“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë e numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, mirëqenia e qytetarëve, dhe fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta ka kontribuar dhe është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore e kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kurti.
Presidetja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.
“18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dënuan por asnjëherë nuk u dorëzuan”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu tha se sot dhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë, pra dëshmorët e kombit dhe martirët, por po ashtu edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme, për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale, që funksionojnë me integritet dhe profesionalizëm. Gëzuar të gjithëve pavarësia e Republikës së Kosovës”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Me rastin e kësaj ditë, urime dërguan edhe krerët e Maqedonisë së Veriut. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova uroi Kosovën për stabilitet dhe prosperitet.
“Si vende mike, ne i vlerësojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe punojmë për të përmbushur vizionin e përbashkët të integrimit evropian të rajonit.
Uroj që ta thellojmë dhe forcojmë partneritetin në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, shkroi Siljanovska.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi përmes një postimi në Facebook shkroi se kjo festë, është një moment reflektimi dhe krenarie kombëtare, që mishëron sakrificën, përkushtimin dhe vizionin për liri e shtetndërtim.
“Pavarësia e Kosovës përfaqëson triumfin e vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.
Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Lidhjet tona fqinjësore, shoqërore dhe historike janë të forta dhe përbëjnë një themel të palëkundur për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona”, thuhet në urimin e Gashit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deri tani nuk ka dërguar urim.
Në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë, gjatë gjithë ditës do të organizohen aktivitete të shumta përkujtimore dhe festive në mbarë Kosovën. Këtë datë historike po e festojnë jo vetëm qytetarët në vend, por edhe shqiptarët kudo që ndodhen, në rajon, Evropë dhe diasporë, duke e shënuar 17 Shkurtin si simbol të lirisë, sakrificës dhe krenarisë kombëtare.
- Lexo intervistën me ambasadorin e Kosovës në RMV: Kosova dhe Maqedonia, ambasadori Florian Qehaja: Shqiptarët kanë kapacitete vetë t’i përfaqësojnë interesat e tyre, kanë përkrahjen tonë