Kosova dhe Maqedonia, ambasadori Florian Qehaja: Shqiptarët kanë kapacitete vetë t’i përfaqësojnë interesat e tyre, kanë përkrahjen tonë

Në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja në një bisedë për Portalb.mk foli për raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar përparimet në bashkëpunimin midis dy vendeve. Qehaja theksoi projektet e përbashkëta, ngecjet në autostradën Bllacë-Shkup dhe rrugën Tetovë-Prizren, pozicionin e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e Shkupit në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Ai dha gjithashtu një pasqyrë të bashkëpunimit me komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe koordinimin diplomatik mes dy kryeqyteteve.

Portalb.mk: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përshkruhen si shumë të mira, por përtej deklaratave zyrtare, a ka pasur çështje konkrete ku interesat e dy vendeve nuk janë harmonizuar? Cilat janë pikat ku ka ende rezerva apo mospajtime të heshtura?

Florian Qehaja: Marrëdhëniet ndër-shtetërore janë të mira dhe rishtazi janë konkretizuar në bashkëpunim konkret me interes të ndërsjellë. Një ndër derivatet e këtij bashkëpunimi ishte përurimi i pikave të përbashkëta kufitare sipas modelit “hyrje-hyrje” i cili ka lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe madje ka rritur fluksin e kalimeve. Tutje, ka ngritje të volumit tregtar ku Maqedonia e Veriut i prin listës së eksporteve nga Kosova përderisa Maqedonia e Veriut vijon po ashtu të ketë bilanc pozitiv tregtar me Kosovën. Po ashtu, ka ngritje të bashkëpunimit në sferën e sigurisë bazuar në respekt e mirëbesim reciprok.

Portalb.mk: Në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe dialogut me Serbinë, a ka pasur momente kur Shkupi dhe Prishtina kanë mbajtur qëndrime të ndryshme? Sa i koordinuar është sot komunikimi diplomatik mes dy kryeqyteteve?

Florian Qehaja: Ne vijojmë të kemi marrëdhënie të mira dhe komunikim të rregullt diplomatik në të gjitha nivelet. Bashkëpunojmë në platforma të ndryshme evropiane, rajonale përderisa kemi edhe kanale bashkëpunimi në nivel bilateral. Kjo e fundit bëhet ekskluzivisht në funksion të interesit të ndërsjell.

Portalb.mk: Si e vlerësoni trajtimin e komuniteteve, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë apo veprojnë në Kosovë? A ka çështje të hapura që kërkojnë angazhim më të drejtpërdrejtë diplomatik dhe institucional?

Florian Qehaja: Ne përcjellim me vëmendje zhvillimet sa i përket pozitës së faktorit shqiptar në RMV. Lidhja jonë organike e bazuar në premisa historike e tradicionale determinon një vëmendje të shtuar ndaj shqiptarëve në vend. Përderisa kemi komunikim e ndërveprim me përfaqësuesit politik shqiptar, ne besojmë se shqiptarët në RMV kanë kapacitete që vetë t’i përfaqësojnë interesat e tyre e për të cilën kanë përkrahjen tonë të parezervë.

Portalb.mk: Dy projektet më të rëndësishme ku Maqedonia e Veriut po ecën me ritëm të ngadalshëm janë autostrada për në Bllacë dhe rruga Tetovë – Prizren, si i sheh Kosova këto ngecje?

Florian Qehaja: Shprehim keqardhje për vonesat rëndom të paarsyetuara në përmbylljen e procedurave teknike për fillimin përfundimisht të punimeve në autostradën Bllacë-Shkup. Rikujtojmë se shteti Kosovës ka përfunduar autostradën “Arbën Xhaferi” në vitin 2019. Autostradë e mbetur në gjatësi prej 11km do të lidhte më shumë qytetarët dhe do të lehtësonte ndërlidhjen me rrugët tjera përcjellëse. Në anën tjetër, Republika e Kosovës është mjaft e interesuar për të shtyrë përpara projektimin dhe financimin e tunelit që do të lidhte Prizrenin me Tetovën. Në do të përfundojmë trasenë deri te tuneli në muajt në vijim dhe do të ngelet vetëm pjesa e tunelit. Po ashtu, kemi prioritet rivitalizimin e hekurudhës si dhe ndërtimin e një interkonjeksioni të ri energjetik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Portalb.mk: Kosova tashmë është një shtet në “moshë madhore”, ku qëndron Kosova në kontekstin e aspiratave për integrim në BE?

Florian Qehaja: Republika e Kosovës vazhdon të punoj me hapa të mëdhenj drejt integrimit në BE. Në vitin 2022 ka aplikuar për të marr statusin e kandidatit: ky proces nuk ka lëvizur për shkak të pengesave nga shtetet jo-njohëse. Ne vijojmë të përfitojmë nga Plani i Rritjes së BE-së, sidomos tani më kur Kuvendi pritet të ratifikoj marrëveshjet respektive. Kosova vijon të përafroj politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së në kuotën maksimale.

Portalb.mk: Në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si e shihni rolin që ka luajtur dhe luan Maqedonia e Veriut në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, dhe a mendoni se ky partneritet sot është në nivelin që e kërkon momenti historik apo ka nevojë për ndryshime?

Florian Qehaja: Republika e Maqedonisë së Veriut ka njohur Republikën e Kosovës në vitin 2008 përderisa kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në vitin 2009. Shteti i Kosovës merr përkrahje nga Maqedonia e Veriut në kontekst të aplikimeve për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, kemi bashkëpunim të mirë në kuadër të nismave rajonale ku japim mbështetje reciproke në procese të ndryshme.