Ansambli shqiptar mbajti koncert në Dibër, solli këngë e valle tradicionale
Në Qendrën për Kulturë në Dibër, mbrëmë u mbajt koncerti tematik “Skutaçja e Çauçës”, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV. Në program morën pjesë edhe këngëtarja Leonora Poloska dhe grupi i valleve “Burrat e Dibrës” i SHKA-së “Dibra e Madhe”, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Ylber Nuredini, në një prononcim për Portalb.mk e vlerësoi këtë ngjarje si një mundësi për publikun që të ndiqte një program profesional dhe si një shtysë për artistët vendas.
“Paraqitje të tilla kanë rëndësi të veçantë për jetën kulturore të qytetit. Përmes koreografisë, orkestrës dhe interpretimit të këngëve, Ansambli e përcjell trashëgiminë kulturore shqiptare nga Shkupi në qytetet e tjera, duke shërbyer si frymëzim për artistët vendas dhe për brezat e rinj”, tha Nuredini.

Publiku dibran pati mundësinë të ndiqte një program artistik me këngë dhe valle tradicionale shqiptare. Përmes melodive, ritmeve dhe interpretimeve skenike, artistët sollën pjesë të trashëgimisë folklorike shqiptare, duke ndërthurur këngën me vallen.
Mbrëmja iu kushtua vlerave të traditës dhe identitetit kulturor shqiptar. Programi e vendosi në qendër krijimtarinë popullore, si një pasuri që ruhet dhe përcillet ndër breza përmes artit.
