Kosova prezantoi strategjinë e qeverisjes elektronike 2023-2027
Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, raporton Anadolu.
Në këtë konferencë morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me ministra tjerë të Qeverisë dhe ambasadorë të huaj në Kosovë.
Kryeministri Kurti tha se strategjia e e-Qeverisjes 2023-2027 të cilën po e prezantojnë, e vendos vizionin për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve.
Ai tha se kjo strategji po ashtu e maksimizon efektivitetin transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes si dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.
“Tashmë kemi mbuluar 100 për qind të zonave të banuara me internet brez-gjerë. Kosova është në top-shtatë vendet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun. Megjithëkëtë, duhet të sigurohemi që përfitimet nga digjitalizimi dhe ndërveprimi i sistemeve t’i gëzojnë gjithë qytetarët duke përfshirë edhe ata që shfrytëzojnë kanalin digjital të qasjes”, theksoi Kurti.
Kurti tha se kjo strategji parasheh ndërtimin e arkitekturës gjithëpërfshirëse të organizatave, infrastrukturës, sistemeve, të dhënave dhe ndërveprimit, që do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të digjitalizimit në Qeveri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në epokën e digjitalizimit, mendimi strategjik i këtij procesi është domosdoshmëri edhe për Kosovën. Ai tha se Kosova ka potencial të mjaftueshëm për transformim digjital.
“Strategjia pesë vjeçare e qeverisjes elektronike që po e diskutojmë sot, ka në vizion transformimin digjital të administratës sonë publike që maksimizon mirëqenien e qytetarit tonë, rritë efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik si dhe mundëson rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit tonë”, theksoi Sveçla.
Ministri kosovar tha se vetëm me ofrimin e shërbimeve digjitale përmes platformës e-Kosova janë të regjistruar mbi 770 mijë përdorues dhe mbi 130 shërbime që kanë kursyer kohë dhe mjete financiare për kosovarët. Sveçla tha se ky është tregues i qartë që tregon për domosdoshmërinë e digjitalizimit.