Kosova me artisten Doruntina Kastrati fitoi mirënjohje të veçantë në Bienalen e Venecias

Pavijoni i Republikës së Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias me artisten Doruntina Kastrati, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e konsideroi si arritje e jashtëzakonshme të artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota.

“Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, tha Çeku.

Për këtë trofe, uroi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Një arritje tejet e lartë. Në Biennale ku vetëm pjesëmarrja është fitore, triumfi i saj është fort i veçantë. Urime të gjithë ekipit, komisioneres Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, mbi të gjitha, urime artistëve të vendit tonë! Kosova djep kulture. Edhe njëherë, si shpeshherë: gratë e Kosovës krenari kombëtare”, shkroi Kurti.

Ndryshe, kjo është hera e parë që Kosova merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.