Kos u ofrua të ndërmjetësojë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe midis RMV-së dhe Bullgarisë
Objektivi ynë politik është të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut në kuadër të klasterit “Vlerat Themelore”, sapo të miratohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese, tha sot (3 qershor) komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në fjalimin e saj hapës në debatin me anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian mbi zgjerimin e BE-së, situatën në Ukrainë dhe politikën e fqinjësisë së bllokut, transmeton Portalb.mk.
“Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të fillojnë diskutime intensive dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje dypalëshe, dhe unë jam në dispozicion si lehtësuese, nëse është e nevojshme”, tha Kos.
Ajo tha gjithashtu se Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të thjeshtuar procedurat për pranim në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të shmanget rreziku që çështjet dypalëshe të ngadalësojnë procesin, veçanërisht në këtë kontekst të ndjeshëm gjeopolitik.
Komisionerja evropiane kujtoi se negociatat tashmë janë duke u zhvilluar me Shqipërinë në 24 kapituj, dhe Serbisë i është thënë se duhet të vazhdojë me reformat dhe të rivendosë besimin publik. Ajo i tha presidentit serb Aleksandar Vuçiq se vizita e tij në Moskë për festimet e 9 majit po i ndërlikon përpjekjet e BE-së për përparimin e Serbisë.
“Rruga evropiane e Kosovës çon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë“, tha Kos, duke bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas Kos, bllokada politike vazhdon, por dera e hyrjes në BE mbetet e hapur.
Mali i Zi po bën përparim të shpejtë në negociata – gjashtë kapituj janë mbyllur tashmë dhe negociatat pritet të përfundojnë deri vitin e ardhshëm.
Kos theksoi se Turqia mbetet një partner strategjik i BE-së dhe se është në interes të përbashkët që vendi të mbetet i lidhur me vlerat evropiane.
Lidhur me Gjeorgjinë, ajo paralajmëroi se autoritetet atje po e distancojnë vendin nga BE-ja dhe po krijojnë rreziqe për themelet e demokracisë.
“Ne duhet të ndërmarrim menjëherë hapat e ardhshëm me Ukrainën dhe Moldavinë – gjithçka është gati dhe tani i takon Këshillit të BE-së të fillojë negociatat. Nëse duam paqe dhe stabilitet në Evropë, duhet të jemi të pavarur dhe të përfundojmë bashkimin evropian – ky është një detyrim moral”, tha Kos para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Ajo shtoi se sot po jetojmë në një kohë transformimi të thellë të rendit ndërkombëtar dhe se vetëm në gjashtë muaj që nga fillimi i mandatit të saj, peizazhi global ka ndryshuar në mënyrë dramatike, kështu që në interes të sigurisë dhe të ardhmes së kontinentit është e nevojshme të “përfundojmë bashkimin e Evropës”.
“Për mua, zgjerimi është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Bëhet fjalë për bashkimin e Evropës. Nuk është vetëm një domosdoshmëri morale, por një kusht i qartë për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt. Zgjerimi në këtë kontekst shkon përtej pikëpamjes tradicionale dhe bëhet një mjet për bashkimin e Evropës rreth vlerave dhe parimeve të përbashkëta”, tha Kos.
Në këtë kontekst, sipas saj, BE duhet të jetë e gatshme të projektojë stabilitet dhe paqe në të gjithë kontinentin dhe në finjin strategjik evropian në Azinë Qendrore dhe Mesdhe.
Komisionerj për Zgjerimin shprehu shpresën se në katër vitet e ardhshme të paktën një vend tjetër do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.