Puna e Këshillit Gjyqësor sot para deputetëve të Kuvendit të RMV-së

Raporti Vjetor për Punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 është para deputetëve në kuadër të seancës së 51-të të Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Raporti tregon se gjatë vitit 2024, Këshilli, në kuadër të 39 seancave të mbajtura, ka zgjedhur gjyqtarë dhe kryetarë gjykatash, ka zgjedhur dhe shkarkuar gjyqtarë porotë, ka përcaktuar ndërprerjen e funksionit gjyqësor, ka përcaktuar kryerjen joprofesionale dhe të pakujdesshme të funksionit gjyqësor duke shqiptuar masa disiplinore, ka shqyrtuar dhe vlerësuar raportet tremujore dhe vjetore për punën e gjykatave, ka marrë vendime për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën, ka kryer vizita pune në gjykata me qëllim të konstatimit të situatave të caktuara dhe ka kryer detyra të tjera brenda kompetencës së tij të përcaktuara me ligj.

“Misioni i Vlerësimit i BE-së përgatiti raport mbi funksionimin e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë në vitin 2024, i cili dha rekomandime afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra, dhe zbatimi i rekomandimeve afatshkurtra për të cilat është përgjegjës Këshilli filloi në vitin 2024 përmes aktiviteteve të kryera nga Këshilli, të cilat janë shënuar në Planin e Veprimit të miratuar. Gjatë vitit 2024, aktivitetet e shënuara në Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të BE-së drejtuar Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë do të prioritizohen. Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh Raportin e Misionit të Vlerësimit dhe udhëzimet dhe indikacionet në të, Këshilli Gjyqësor do të vazhdojë të avokojë për mbrojtjen e integritetit, pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe institucioneve në periudhën e ardhshme dhe do të kundërshtojë çdo ndikim të brendshëm ose të jashtëm në punën e tij”, thuhet në Raport.

Një përparësi për Këshillin Gjyqësor në vitin 2025, siç theksohet në Raport, do të jetë zbatimi i mëtejshëm i rekomandimeve të vërejtura në Raportin e Misionit të Vlerësimit, të cilat jepen me qëllim përmirësimin e procedurës së përzgjedhjes, ngritjes në detyrë dhe llogaridhënies së gjyqtarëve/kryetarëve të gjykatave dhe anëtarëve të Këshillit, si dhe përmirësimin e transparencës, komunikimit dhe menaxhimit të burimeve në Këshill.

Raporti thekson se një nga angazhimet kryesore të Këshillit është ndarja financiare e gjyqësorit nga autoritetet e tjera, gjegjësisht avokimi për një rritje të përqindjes së Buxhetit Gjyqësor në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nga 0.3 përqind që është aktualisht në vit në 0.8 përqind të Buxhetit Gjyqësor të përcaktuar me ligj.

Gjithashtu në raport theksohet se 134,729 lëndë të pazgjidhura dhe një ngarkesë të shtuar prej 3,724 rasteve të prapambetura. Edhe pse janë marrë masa për zgjidhjen e lëndëve të vjetra dhe përmirësimin e efikasitetit, vetëm 7 nga 34 gjykatat janë vlerësuar si të përditësuara në zgjidhjen e çështjeve. Përveç kësaj, ulja e numrit të gjyqtarëve, duke u reduktuar me 34 gjatë vitit 2024, ka shtuar edhe më shumë barrën për sistemin gjyqësor, duke bërë që drejtësia të përballet me një krizë të dukshme. “Gjykatat nuk arritën të përballonin fluksin e lëndëve dhe e rritën ngarkesën e lëndëve të pazgjidhura,” thotë raporti, duke vënë në pah nevojën për reformë urgjente dhe një plan të koordinuar veprimi.