Konkursi “Biber” i hapur deri në maj, ftohen autorët të dorëzojnë tregime të shkurtra

Konkursi i shtatë për tregimin e shkurtër Biber vazhdon të jetë i hapur dhe kujton se autorët mund t’i dorëzojnë tregimet e shkurtra në shqip, maqedonisht, boshnjakisht, malazezisht, kroatisht ose serbisht. Temat e konkursit të shtatë janë zgjeruar, dhe autoret e autorët mund të zgjedhin cilës t’i përgjigjen. Konkursi është i hapur deri më 24 maj 2026, transmeton Portalb.mk.

“Nuk po heqim dorë nga temat tradicionale të konkursit Biber: përveç tregimeve që përqendrohen në pajtimin në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, do të merren parasysh tregimet që mund të kontribojnë në mirëkuptim më të madh mes njerëzve, që zbusin urrejtjen dhe thyejnë paragjykimet, tregimet kundër luftës, tregimet që kanë të bëjnë me trajtimin e së kaluarës, thyerjen e imazhit të armikut, dhembshurinë për të tjerët, tregimet e guximshme që guxojnë të ecin me këpucë “të armikut”, tregimet që shtyjnë kufijtë dhe na hapin shtigje për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë dhe më të lirë për të gjithë”, thonë nga Biber.

Konkursi i shtatë u kushtohet studenteve dhe studentëve në Serbi që na kanë dhënë mësime të panumërta gjatë vitit të fundit për luftën jo të dhunshme, solidaritetin, unitetin, mbështetjen, dashurinë, vullnetin, guximin, ndjeshmërinë, pajtimin, respektin dhe vlerat e tjera të rëndësishme shoqërore.

Përzgjedhjen e tregimeve do ta bëjë juria e përbërë nga: Danijela Repman, Lejla Kalamujiq dhe Zhelko Beliniq. Së paku njëzet tregime të zgjedhura do të botohen në një përmbledhje shumëgjuhëshe.

Autoret/ët e tre tregimeve më të mira do të shpërblehen me çmime në të holla (në shumën bruto):

  • Çmimi i parë, 1.100 €
  • Çmimi i dytë, 850 €
  • Çmimi i tretë, 600 €

Vendimi i jurisë do të bëhet publik në mes të nëntorit 2026.