Aliu: Rreth 35 përqind e qytetarëve vuan nga mbipesha

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu ka alarmuar mbi rritjen e numrit të personave me mbipeshë në vend. Në fjalimin e tij në simpoziumin profesional, në organizim të shoqatës shkencore për mbipeshë OBEM, ai tha se, rritja e peshës trupore paraqet një problem serioz shëndetësor dhe ka një trend shqetësues në rritje në botë dhe në vendin tonë, i cili veçanërisht i prek fëmijët dhe adoleshentët, transmeton Portalb.mk.

Sipas Azirit, të dhënat statistikore tregojnë se në shtetin tonë prevalenca e mbipeshës është 30–35 për qind.

“Në këtë drejtim, është veçanërisht e rëndësishme funksionimi i qendrave për trajtimin e mbipeshës në Klinikën e Endokrinologjisë dhe në SPQ “8 Shtatori”. Këtë javë në spitalin e Ohrit është hapur qendra e parë për menaxhimin e obezitetit në rajonin jugperëndimor. Bëhet fjalë për një sëmundje serioze kronike e lidhur me mbi 200 komorbiditete, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2 dhe gjendje të tjera dhe për këtë arsye është veçanërisht e rëndësishme përgjigjja multisektoriale dhe ngritja e vetëdijes publike për këtë sfidë globale”, theksoi ministry.

Në simpozium u theksua nevoja për ngritjen e vetëdijes publike dhe veprimin parandalues, si dhe rëndësia e bashkëpunimit multisektorial ndërmjet institucioneve dhe sektorit joqeveritar.