Konferenca për mjedisin miratoi fondin për fatkeqësi natyrore

Takimi i nivelit të lartë për mjedisin që po mbahet në Dubai, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella qysh në ditën e parë mbi heqjen e planifikuar nga përdorimi të karburanteve fosile. Siç njofton Zëri i Amerikës, shkencëtarët thonë se nevojiten shkurtime të mëdha dhe të menjëhershme në emetimet e gazeve serrë, por organizatori i takimit, Emiratet e Bashkuara Arabe, është kundër një ndalimi të plotë të naftës dhe gazit.

Gati dyqind vende po marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë dyjavor për mjedisin ‘COP28’, i cili filloi të enjten në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit.

Shkencëtarët thonë se delegatët duhet të bien dakord se si të ulin me 43% në gjashtë vitet e ardhshme, çlirimin e gazeve të dëmshëm, në mënyrë që temperaturat të mos rriten mbi 1.5 gradë Celsius mbi nivelet e para revolucionit industrial. Ata thonë se mbajtja e këtij niveli do të shmangë ndryshimet mjedisore me pasoja katastrofale.

Në qendër të diskutimeve është burimi kryesor i këtyre emetimeve: djegia e lëndëve fosile.

Presidenti i Konferencës COP28 Sulltan al-Jaber, i cili është dhe kreu i kompanisë shtetërore të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, e hapi takimin me vizionin e tij: heqja nga përdorimi i karburanteve fosile të mos bëhet menjëherë dhe në tërësi, por të ketë një ulje shkallë-shkallë të shfrytëzimit të tyre.

“Ne duhet të kërkojmë mënyra dhe të sigurohemi që të përfshihet shfrytëzimi edhe i lëndëve fosile në të ardhmen. E di që ka pikëpamje të forta rreth lëndëve djegëse fosile dhe burimeve të rinovueshme në tekstin për deklaratën përfundimtare. U kërkoj të gjithëve të punojmë së bashku”, tha Presidenti i COP28, Sultan al-Jaber.Ky fjalim nxiti zemërimin e grupeve mjedisore.

“Ne e dimë se ajo që po kërkon ai është përpjekje jo e drejtpërdrejtë për rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit”, thotë Bill Hare, Shefi Ekzekutiv i organizatës ‘Climate Analytics’ që merret me mbrojtjen e mjedisit.

Këndvështrimet e ndryshme mbi heqjen nga përdorimi të karburanteve fosile mund të mbizotërojnë diskutimet në këtë konferencë. Në fusha tjera megjithatë është arritur përparim.

Pjesëmarrësit ranë dakord për një fond të ri prej 420 milionë dollarësh për të ndihmuar vendet më të varfra që përballen me koston e fatkeqësive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, si thatësirat, përmbytjet dhe ngritja e nivelit të detit.

“Ne jemi padyshim të kënaqur me të gjithë që miratuan këtë fond kaq shpejtë. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të filluar takimin”, thotë i dërguari amerikan për mjedisin, John Kerry.

Marrëveshja që u arrit qysh në ditën e parë mund të hapë rrugën për marrëveshje të mëtejshme në konferencën ‘COP28’.

“Kjo do t’u japë vendeve në zhvillim besimin se ata tani mund të bëjnë përpara dhe të fillojnë zbatimin e masave zbutëse gjithashtu”, thotë Tom Rivett-Carnac, ish-strateg në Konventën për Kornizën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

Delegatët shpresojnë që suksesi i parë i arritur të vazhdojë edhe në pjesën tjetër të takimit, ndërsa afrohet koha për negociatat maratonë mbi shfrytëzimin e lëndëve djegëse fosile në të ardhmen.