Komunës së Tearcës iu bllokua llogaria, mbi 1.7 milionë euro borxh

Nga sot Komunës së Tearcës i është bllokuar llogaria për shkak të borxheve të papaguara ndaj kompanive që kanë kërkesa financiare, shkruan Portalb.mk.

Për këtë njoftoi kryetari i komunës, Daut Memishi i cili tha se përveç borxhit kryesor ndaj furnitorëve, borxhi i komunës së Tearcës është rritur edhe për shpenzimet ndaj përmbaruesve dhe kamatat mbi borxhin bazë.

“Kjo gjendje është rezultat i menaxhimit të papërgjegjshëm (por me vetëdije) ndër vite nga drejtuesit e mëparshëm, të cilët e kanë zhytur komunën në borxhe të shumta, pa menduar për pasojat dhe barrën që do t’u lihej qytetarëve. Kjo situatë nuk është vetëm një problem financiar, është një padrejtësi ndaj çdo qytetari të Tearcës që meriton një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme”, tha Memishi.

Nga ana tjetër, Nazim Taipi nga Aleanca për Shqiptarët (AKI) i cili humbi përballë Memishit në zgjedhjet lokale, tha se Komuna e Tearcës është shndërruar në një institucion ku vazhdon “ping-pongu i fajësimeve”.

“5 muaj pas zgjedhjeve lokale, Komunës së Tearcës i bllokohet xhirollogaria. Qytetarët nuk duan justifikime, duan transparencë dhe përgjegjësi”, tha Taipi.

Kujtojmë se në dhjetor 2025, Komuna e Tearcës njoftoi se borxhi i komunës është 109.941.212 denarë apo 1.787.662 euro.

Me komunën e Tearcës momentalisht udhëheq Daut Memishi nga koalicioni VLEN, para tij në krye të komunës ishte Nuhi Neziri nga BDI, ndërsa para tij Isen Asani nga BDI.