Komunat në RMV me rol kyç në investimet energjetike, Ministria e Energjetikës publikoi rregulloren e re

Ministria e Energjisë njofton se është miratuar rregullorja e re për përgatitjen e planeve komunale të energjisë, duke vendosur për herë të parë një sistem të strukturuar dhe të kontrolluar për investimet në këtë sektor. Sipas saj, investitorët do të aplikojnë në komuna, ndërsa këto të fundit do të hartojnë plane dhe do t’i dorëzojnë në Ministri për koordinim kombëtar. Procesi do të jetë transparent, me publikimin e planeve deri më 1 korrik. Rregullorja synon të sigurojë zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm energjetik në vend, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon se Rregullorja mbi formatin, përmbajtjen dhe metodologjinë për përgatitjen e planit komunal të energjisë është botuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kjo rregullore përcakton për herë të parë një sistem të qartë, të strukturuar dhe të kontrolluar për planifikimin e investimeve në energji në nivel lokal dhe kombëtar, duke i dhënë fund qasjes ad-hoc dhe duke futur rregull, parashikueshmëri dhe uniformitet në zhvillimin e kapaciteteve energjetike në vend”, thuhet në njoftim.

Inovacionet kryesore të sistemit thonë nga Ministria, janë:

  • Investitorët që planifikojnë zbatimin e objekteve energjetike me kapacitet deri në 1 MW i paraqesin iniciativat e tyre direkt në komunat ku duan të investojnë, jo më vonë se 1 prilli;
  • Komunat, bazuar në iniciativat e marra, nevojat e tyre dhe mundësitë hapësinore, përgatisin Plan komunal energjetik dhe propozim për investime;
  • Komunat i paraqesin planet e përgatitura Ministrisë jo më vonë se 15 maji;
  • Ministria, duke marrë parasysh pamjen e përgjithshme dhe nevojën për zhvillim të ekuilibruar, përgatit një plan vjetor investimesh;
  • Planet energjetike komunale publikohen në faqet e internetit të komunave jo më vonë se 1 korriku, duke e bërë procesin plotësisht transparent.

“Me këtë metodologji të re, komunat bëhen një filtër dhe partner kyç në procesin e planifikimit, i cili lejon që investimet të jenë në përputhje me nevojat reale të qytetarëve, kapacitetet e infrastrukturës dhe zhvillimin lokal. Në të njëjtën kohë, Ministria siguron koordinim strategjik dhe kujdes për një shpërndarje të ekuilibruar të kapaciteteve në nivel kombëtar, duke parandaluar përqendrimin e tepërt të projekteve në rajone të caktuara dhe duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë të energjisë”, thonë nga Ministria.

Ata shtojnë se rregullorja synon të ndihmojë komunat në çdo hap të procesit – nga iniciativa deri te plani përfundimtar – përmes udhëzimeve, strukturës dhe metodologjisë së përcaktuar qartë për përgatitjen e planeve energjetike komunale.

Në këtë drejtim, Ministria tashmë e ka dorëzuar rregulloren në BNJVL, e cila do ta shpërndajë atë në të gjitha komunat në vend.

“Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet në dispozicion të të gjitha komunave për informacione shtesë, mbështetje nga ekspertë dhe sqarime në lidhje me zbatimin e rregullores, me qëllim që procesi i përgatitjes dhe zbatimit të planeve komunale të energjisë të ecë pa probleme dhe në mënyrë efikase”, thuhet në njoftim.

Për pyetje dhe mbështetje, komunat mund të kontaktojnë:

[email protected]

“Me krijimin e këtij sistemi, për herë të parë, po ndërtohet një themel për menaxhim afatgjatë, të kontrolluar dhe strategjik të investimeve në energji në Maqedoninë e Veriut – në interes të qytetarëve, komunave dhe ekonomisë”, thonë nga Ministria e Energjetikës.