Komuna e Tetovës nuk tregon çfarë u bë me tenderin për qentë endacak, por miraton rregulla të reja për dëmshpërblime nga kafshimet

Siguria publike në Tetovë dhe në fshatrat përreth vazhdon të mbetet e rrezikuar nga qentë endacakë, veçanërisht për fëmijët. Arbeni, 41 vjeçar nga qyteti i Tetovës rrëfen përvojën e hidhur të djalit të tij 14 vjeçar që qentë e sulmuan papritur në rrugën “Kumanovska” afër shkollës fillore “Migjeni” në Tetovë. Nga janari deri më 23 korrik të këtij viti, në stacionin policor të Tetovës janë raportuar 49 raste të sulmeve nga qentë endacakë. Këshilli Komunal i Tetovës, në seancën e 35-të, ka miratuar disa masa, por ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për këtë problem. Vendimet e marra kanë të bëjnë kryesisht me shfuqizimin dhe miratimin e Rregullores për mënyrën dhe procedurën e përcaktimit të pagesës së kompensimit të dëmit të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak, shkruan Portalb.mk. Të pyetur se çfarë u bë me tenderin dhe kur pritet të fillojë puna në terren, nga Komuna e Tetovës nuk na kthyen përgjigje.

Arbeni, 41 vjeçar nga qyteti i Tetovës rrëfen përvojën e hidhur të djalit të tij 14 vjçar me qentë endacakë që e sulmuan papritur në rrugën Kumanovska afër shkollës fillore Migjeni në Tetovë.

“Djali tregoj se ka qenë duke u kthyer nga shkolla, dhe duke ecur në rrugën Kumanovska, që gjendet afër shkollës fillore Migjeni, kur papritmas është gjendur i rrethuar nga një grup qensh endacakë. Fillimisht ka menduar se do të kalonin pa i bërë gjë, dhe siç tregon është përpjekur t’i injoroj, por njëri prej tyre ka filluar të lehë dhe të afrohet me shpejtësi, dhe gjatë vrapimit pastaj ka ndjerë dhëmbët e qenit në këmbën e majtë”, shpjegon Arbeni.

Ai tregon se djali i tij, fillimisht ka tentuar ta fsheh plagën dhe nuk e ka treguar rastin në shtëpi, por pas disa orësh, kur dhimbja e ka kapluar, ka treguar.

“Kur u kthye në shtëpi atë ditë, ai nuk na tregoi asgjë. Vetëm pas disa orësh, filluam të vëmë re se ai kishte vështirësi në ecje dhe ishte më i heshtur se zakonisht. Kur e pyetëm, ai më në fund na tregoi për sulmin dhe na tregoi plagën e tij”, thotë ai.

Menjëherë pas zbulimit të plagës, Arbeni thotë se bashk me djalin kanë vazhduar për në Spitalin e Tetovës për ndihmë mjekësore.

“Atje, mjekët nisën menjëherë trajtimin e nevojshëm”.

Portalb.mk pyeti mjekët e Spitalit të Tetovës për mënyrën e mjekimit të pacientëve që kanë të bëjnë me sulmet nga qentë endacak. Nga atje thanë se mbi procedurat mjekësore të ndjekura për trajtimin e pacientëve që kanë pësuar lëndime nga sulmet e qenve endacakë, stafi mjekësor fillimisht bënë pastrimin e plotë të plagës, apo plagëve.

“Pas pranimit në spital, pacientët që kanë pësuar lëndime nga kafshimi i qenve i nënshtrohen menjëherë një pastrimi të plotë të plagëve. Ky hap është thelbësor për të parandaluar infeksionet dhe për të larguar çdo trup të huaj që mund të ketë mbetur në plagë. Pastrimi kryhet me solucione antiseptike për të siguruar që zona e prekur të jetë sa më sterile që të jetë e mundur”, thonë nga atje.

Pas pastrimit, nga spitali shpejgojnë për procedurën e dytë – imunizimin.

“Pas pastrimit të plagës, pacientët imunizohen kundër tetanusit, nëse është e nevojshme. Kjo është një masë parandaluese e rëndësishme, sidomos për ata që nuk janë imunizuar më parë ose nuk e kanë rifreskuar vaksinën e tyre të tetanusit për një kohë të gjatë.Në rastet kur kafshimi është më i rëndë, mund të administrohet edhe imunoglobulina tetanike për mbrojtje të menjëhershme”, thonë mjekët nga Spitali i Tetovës.

Pas pastrimit dhe imunizimit nga atje shtojn se pacienti  fillon me procesin e vaksinimit.

“Për të parandaluar infeksionin nga virusi i tërbimit, pacientët i nënshtrohen një serie vaksinash kundër tërbimit. Vaksinimi fillon menjëherë pas sulmit dhe përfshin disa doza të administruara gjatë një periudhe të caktuar kohore. Vaksina kundër tërbimit është e sigurt dhe efektive, dhe ndihmon në parandalimin e një sëmundjeje që është e rrezikshme për jetën”, shpjegojnë nga atje.

Portalb.mk kontaktoi edhe Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për të parë se sa është numri i paraqitjeve nga sulmet e qenve endacak.

Fatmir Rexhepi, zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë për Portalb.mk tha se nga fillimi i vitit deri me 23 korrik në polici janë regjistruar 49 raste të sulmeve të tyre ndaj kalimtarëve.

Infografik: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Rexhepi gjithashtu njoftoi se më datë 22.07.2024 në ora 13:15 në SPB Tetovë, M.H.(39) nga Tetova ka raportuar se në rrugëm “Todor Cipski Merxhan” në Tetovë është kafshuar nga qentë endacak dhe gjatë tentimit që të ikë, ai është rëzuar dhe ka pësuar lëndime të konstatuara në Spitalin klinik në Tetovë. Ai shtoi se numri i sulmeve nga qent endacak mund të jetë më i lartë, marrë parasysh se jo gjithkush i raporton sulmet.

Për të adresuar problemin me qentë e rrugës, Komuna e Tetovës ka ndarë një buxhet prej 4 milionë denarëve për zgjidhjen e këtij problemi, së bashku me një udhëzues që përcakton edhe rregullat dhe mënyrën e kompensimit për dëmin e shkaktuar nga kafshimi i qenve endacakë.

Por, gjatë seancës së 35-të të Këshillit Komunal erdhi propozim-vendimin për shfuqizimin e rregullores për të miratuar rregulla të reja në kompensimin e dëmve të shkaktuar nga kafshimi i qenve endacak.

Memet Memeti nga Komuna e Tetovës sqaroi se propozim-akti i ri përbëhet nga 10 kapituj dhe 18 nene që përfshin rregullat dhe dispozitat tjera.

“Kapitulli i parë ka të bëjë me dispozitat e përgjithshme. Kapitulli i dytë përshkruan procedurën dhe përcakton një komision prej pesë anëtarësh që do të shqyrtojë kërkesat. Kapitulli i tretë trajton mënyrën e punës së komisionit. Kapitulli i katërt përshkruan procesin e mbledhjes së komisioneve. Kapitulli i gjashtë përfshin përcaktimin e lartësisë së kompensimit për personat e dëmtuar nga kafshimi i qenve. Kapitujt e shtatë dhe i tetë detajojnë kriteret për përcaktimin e vlerës së kompensimit në denarë. Kapitulli i nëntë trajton marrëveshjet ndërsa i dhjeti përmban dispozitat e përgjithshm”, tha Memeti.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se dokumenti në fjalë ka të njëjtin format dhe përmbajtje si më parë, por nënvizoi se tani mënyra e trajtimit të çështjes së qenve endacak do të bëhet përmes një udhëzuesi, dhe jo një rregulloreje. Ai sqaroj se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim që përcakton formën dhe titullin e dokumentit.

“Nuk janë bërë shkurtime apo plotësime të reja. Me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, konstatohet forma dhe titulli i dokumentit. Pra, për këtë problematikë të rregullimit të çështjes me qentë endacak, Komuna e Tetovës nuk ka të drejtë të miratojë një rregullore sepse rregullorja është obligative. Kjo do të thotë se ne mund t’i rregullojmë këto çështje me palët, pra me qytetarët, por udhëzuesi është vetëm një formë se si do të funksionojë komisioni brenda komunës dhe cilat do të jenë organet dhe procedurat që të merremi vesh me qytetarët për dëmshpërblim”, tha Kasami.

Ai shtoi se kjo procedurë nuk i pengon qytetarët që të ndjekin rrugën gjyqësore për të zgjidhur çështjet e tyre.

“Nga momenti kur ne e kemi përcaktuar si rregullore, në bazë të vetë formatit të rregullores, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se i pamundësohet qytetarit të vazhdojë procedurën në gjykatën civile, prandaj ka kërkuar që të mos jetë rregullore por të njihet si një udhëzues. Bëhet fjalë për të njëjtin dokument, i cili nuk do të jetë rregullore, por do të jetë udhëzues se si komuna do t’i zgjidhë problemet me qytetarët në rastin e kafshimit nga qentë endacak”, tha Kasami.

Për problemin me qent endacak Komuna e Tetovës më parë kishte hapur tender

Në ueb faqen elektronike të Prokurimeve Publike qëndron se Komuna e Tetovës më 07.05.2024 për “Programin për zbatimin dhe zgjidhjen e problemit të kafshëve të pastreha” ka përzgjedhur Shoqatën për përkujdesjen ndaj qenve endacakë “ANA AGRO SHPKNJP” f.Rataje, komuna e Jegunocës.

Portalb.mk kërkoi detajet nga Komuna e Tetovës për të parë se kur pritet të fillojë puna në terren për kapjen e qenve të pastrehë, por, nga Komuna e Tetovës nuk na u përgjigjën.

Komuna e Tetovës kohë më parë kishte njoftuar se ka në plan ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë, e cila u paralajmërua edhe në vitin 2023, por që nuk u realizua.

Zgjidhja tjetër shihet edhe ndërtimi i strehimores rajonale për të gjitha komunat e Pollogut, por ky projekt zvarritet me vite.

Kujtojmë që vitin e kaluar (2023) në Tetovë u regjistruan 73 raste të kafshimeve nga qentë endacakë.