Komisioni ka analizuar tetë rastet në kardiokirurgji, Aliu: Raporti do të jetë publik në ueb-faqen e Ministrisë

Është formuar komisioni i posaçëm për zbardhjen e dyshimeve rreth ndërhyrjeve kirurgjikale të zemrës të kryera për përfitime financiare. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në intervistën e tij në Alsat-M, bëri të ditur se komisioni tashmë është mbledhur tre herë dhe ka analizuar tetë rastet e para të raportuara, transmeton Portalb.mk.

“Në takimin e parë u krijua metodologjia e punës, ndërsa në takimet pasuese u analizuan tetë rastet që kishim. Nuk do të deklarohem derisa të përfundojmë me analizën e çdo rasti”, tha ministri Aliu.

Ai shtoi se raporti përfundimtar do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe përveç komisionit vendor, në këtë proces janë përfshirë edhe tre ekspertë ndërkombëtarë nga Sllovenia, Italia dhe Austria, të cilët pritet të marrin pjesë edhe fizikisht në takimet e ardhshme.

“Raporti i komisionit vendor dhe ai i ekspertëve të jashtëm do të shërbejnë si bazë për krijimin e politikave të reja në fushën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë. Detyra e komisionit është të paraqesë realitetin – më tej, institucionet përkatëse do të veprojnë sipas ligjit”, theksoi Aliu.

Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.