Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një iniciativë për ndërprerjen e shpejt të gjitha importet evropiane të naftës dhe gazit nga Rusia, pas bisedimeve me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, transmeton Dojçe Vele (DW).
“Ekonomia ruse e luftës po financon gjakderdhjen në Ukrainë dhe mbështetet nga të ardhurat nga shitja e lëndëve djegëse fosile”, shkroi von der Leyen në mediat sociale. Për ta arritur këtë, Komisioni Evropian do të propozojë përshpejtimin e tranzicionit larg lëndëve djegëse fosile ruse. Von der Leyen nuk shpjegoi saktësisht se si do të dukej kjo.
Plani aktual i BE-së nga qershori parashikon që të mos ketë më importe gazi nga Rusia nga viti 2028 – sipas të dhënave të Komisionit Evropian, furnizimet me gaz nga Rusia përbënin pothuajse 19 përqind të importeve totale në vitin 2024. Sipas planeve aktuale, importet e naftës duhet të ndalen plotësisht deri në fund të vitit 2027. Pavarësisht një reduktimi të ndjeshëm të importeve që nga fillimi i luftës, në vitin 2024, sipas të dhënave të BE-së, 13 milionë ton naftë bruto ruse arritën edhe më tej në tregun evropian. Hungaria dhe Sllovakia në veçanti importojnë sasi të mëdha.
Trump lidh sanksionet kundër Rusisë me ndërprerjen e importeve të energjisë
Kohët e fundit, Trump kushtëzoi sanksione të mëtejshme të SHBA-së ndaj Rusisë, ndër të tjera, me ndalimin e blerjeve të naftës ruse nga partnerët evropianë. Meqenëse ai përfshiu edhe anëtaren e NATO-s, Turqinë, tani është e paqartë nëse iniciativa e BE-së është e mjaftueshme për të. Turqia, përkatësisht, importon sasi të mëdha energjie të lirë nga Rusia dhe nuk tregon qëllim ta ndryshojë këtë shpejt.
Tema e “bisedës telefonike konstruktive” me Trump, sipas von der Leyen, ishte gjithashtu për hapat e mëtejshëm për të rritur presionin ekonomik mbi Rusinë. Presidentja e Komisionit ka përsëritur thirrjen e saj për një prezantim të shpejtë të një propozimi për paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së, e cila do të synonte kryesisht bankat ruse dhe sektorin e energjisë, si dhe përdorimin e kriptovalutave për të anashkaluar sanksionet.
Komisioni pritet t’ua paraqesë propozimin e tij për këtë paketë vendeve të BE-së këtë javë. Von der Leyen tha javën e kaluar se Komisioni po shqyrton gjithashtu masa shtesë kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë dhe vendeve të treta.