Komercializimi i ritualit

Kohëve të fundit edhe në trojet tona janë shumë aktuale grupet e qytetarëve shqiptarë dhe të tjerë që kryejnë ritualin fetar të quajtur ‘umre’, pelegrinazhi i vogël, që s’është detyrim fetar (farz), por pjesë e traditës profetike (sunnet) dhe që kryhet jashtë kohës së haxhit. Kuantitativisht vërehet një masovizim i madh e njerëzve që marrin udhën drejt vendeve të shenjta islamike, gjegjësisht Arabisë Saudite. Është fakt se ky ritual është aktualizuar më tepër viteve të fundit; në të kaluarën njerëzit kanë qenë të përqendruar te haxhillëku, pra kanë akumuluar kapitalin që ta realizojnë ëndrrën e tyre jetike për të vizituar Qabenë dhe të gjitha pikat që janë pjesë e këtij rituali.

Edhe teologjia zyrtare e kohës para lëvizjeve të reja islame që u shfaqën në vitet 1990 ka vënë theksin gjithnjë te haxhi, natyrisht ngase është një nga pesë shtyllat e islamit. Kjo teologji ka bërë një gabim në iterpretimin e fikhut ngaqë shumë veta që kanë gufuar nga malli për tokat profetike s’ia kanë dalë të përmbushin dëshirën e tyre të kamotshme.

A logjika thotë se kur s’arrihet superiorja, mjafton diçka që është alternative. Umreja bashkë me akika-n (kurbani/ët për të prorsalindurin) janë (ri)prurje tipike të islamit literalist-puritan që këtë të fundit e kanë banalizuar apo “arabizuar” me ngrënie kolektive nëpër livadhe, parqe, buzë lumit, liqenit etj. Rekrutimi i besimtarëve të rinj dhe kultivimi i njeriut më të moralshëm janë të inkluduar nëpër këto ngjarje, por edhe ideologjizimi dhe asocializimi i shumë të rinjve. Tek umreja kohëve të fundit angazhohen edhe teologë të rrugës tradicionale që e shohin atë si një rrugë edhe për sevap, për t’iu mundësuar besimtarëve që të kryejnë këtë sunnet, po edhe për të fituar, që është sens i natyrshëm njerëzor.    

Ky trend dalëngadalë po zbeh spiritualitetin dhe më tepër po kalon në një sferë të të ashtuquajturit turizëm fetar ose turizëm me bazë fetare që nënkupton udhëtimin e njerëzve për qëllime fetare për të vizituar qendrat, vendet ose ngjarjet e shenjta. “Exclusive Umre” dhe “Gold Umre” janë dy reklamat që flasin për këtë prirje që më tepër është qasje kapitaliste ose komerciale sesa që ka të bëjë me modestinë si karakteristikë e fesë islame.

Në të ardhmen mund të përballemi edhe me reklama “King”, “Sultan”, “Diamond Umrah”, “Six Stars Umrah”… “Nësë këto kategori janë sipërore, ose aristokrate, çfarë statusi kanë umret e rëndomta, më të lira për 50 % e më tepër. Kjo i përngjan shembullit të Indonezisë ku ofrohen paketat “Hajj Plus”, që ngërthejnë bujtjen në hotele me pesë yje dhe itinerare shtesë për pelegrinët nga Turqia, Egjipti, Dubai, Singapori dhe Hong Kongu (Utomo et al., 2019). Një tjetër agjencion i këtij vendi reklamon “Paket Umroh” me Cristiano Ronaldon në Xhidde (7-14 shkurt 2025)!

Ky ndryshim pasqyron një tendencë më të gjerë të praktikave fetare që po ndërthuren me kulturën e konsumit, duke çuar në një përvojë pelegrinazhi më të komercializuar dhe të orientuar nga marka. Jaeyeon Choe në artikullin e vet “Religious Tourism” (2024), të cilit i jemi referuar në këtë kolumnë, këtë e quan “tregëtizim të trashëgimisë fetare (commercialisation of religious heritage). Ky fenomen mund të lidhet edhe me turizmin hallall, halalbooking, me hotelierizmin konform standardeve islame të mahremijetit, ndarjes burra-gra, që është aktiv në veçanti në Turqi dhe që ka marrë ngjyrime të elitarizmit turistik, ngaqë çmimet nëpër këto resorte janë më të shtrenjta se në hotelet konvencionale a la franga

Kultura e Homo turisticus religiosus dhe turizmi fetar kanë rrënjë të thella historike, por fe të caktuara si islami më tepër ngulmojnë në revitalizimin shpirtëror të njeriut, duke u munduar të mbrujë besimtarin me vlerat e përjetshme. Islami turizmin e realizuar në kuadër të ritualeve fetare e quan dobi anësore, jo esenciale.

Aura e krijuar ndër ne lidhur me umren, si “adhurim në modë”, është një momentum sociologjik që ka rrjedhimet e veta pozitive, mundësia për vetëkorrektim të individëve fetarisht ambivalentë ose të dobët, mbresat dhe përjetimet që përcillen te familjarët që mund të përmirësojnë klimën familjare dhe më gjerë. Por, ad hoc umret e njerëzve të tërhequr nga marketingu, publiciteti medial dhe psikologjia kolektive (“Po shkojnë të gjithë!”, “Më mirë në umre se në det!”) jo gjithherë sjellin spiritualitet më të lartë dhe besimtari më kualitative. Dhe për fund qëndron konstatimi i nonshallancës së BFI-së në gjithë këto zhvillime në sferën e fetarisë, për çka është më e thirrura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.