KF Struga në krye të tabelës në Ligën e Parë në Maqedoninë e Veriut

Ekipi strugan i futbollit ka arritur që të ngjitet përsëri në krye të tabelës në Ligën e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Sot në Struga ata arritën të fitojnë ekipin nga Ohri, Voska Sport. Ndeshja mbaroi me rezultat 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua përmes penaltisë në minutën e 99-të nga Vangjel Zguro.

Ndërkohë është luajtur edhe ndeshja ndërmjet Sileksit dhe Vardarit, ku vendasit arritën të fitojnë me rezultat 3-2.

Këto dy ndeshje ishin në kuadër të javës së XV-të në Ligën e Parë, dy ndeshje që ishin anuluar më herët për shkak kushteve jo të përshtatshme për lojë për shkak reshjeve të dendura.

Ndryshe, Struga gjendet në pozitën e parë me 36 pikë nga 17 ndeshje, ndjekur nga Shkupi me një pikë më pak, derisa Shkëndija gjendet e treta me 32 pikë. Gostivari gjendet në pozitën e shtatë me 21 pikë, ndërsa Voska në pozitën e parafundit me 17 pikë.