Kërkohet paraburgim për kumanovarin që i theu tre brinjë bashkëshortes
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë kundër një 59-vjeçari nga Kumanova, i dyshuar për dhunë në familje, me pasoja të rënda ndaj bashkëshortes së tij, transmeton Portalb.mk.
“Më 20 mars, në shtëpinë familjare, çifti ka pasur përplasje verbale, pas së cilës i dyshuari e ka sulmuar fizikisht gruan, duke e goditur me grushte dhe shqelma në të gjithë trupin, duke i shkaktuar fraktura të shumëfishta në tre brinjë”, njoftoi Prokuroria në Kumanovë.
Ai dyshohet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, sipas Kodit Penal.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Kumanovë caktimin e masës së paraburgimit, për të siguruar praninë e të dyshuarit gjatë procedurës.