Keqpërdorën 1.5 milionë denarë, padi ndaj një personi dhe kompanisë së tij

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 43 vjeçarit nën dyshimet se përmes keqpërdorimeve ka përvetësuar 1 430 762 denarë. Në aktakuzë përfshihet edhe personi juridik nga Radovish, transmeton Portalb.mk.

“I denoncuari i parë, S.K., si person përgjegjës në subjektin juridik të denoncuar, duke keqpërdorur dhe shfrytëzuar detyrën dhe autorizimet e tij zyrtare, ka përgatitur letërpërcjellëse fiktive të cilat u janë adresuar personave joekzistues dhe nuk është shënuar adresa e dërgesës së asortimenteve drurore, po ashtu, te pjesa më e madhe e tyre, në pjesën e sasisë dhe llojit të druve për ngrohje, ka bërë korrigjimin e numrave dhe shkronjave”, raportoi Policia.

Ata në këtë mënyrë kanë mundësuar qarkullimin e 173,31 metra kub, duke përfituar kundërligjshëm 864 mijë denarë, ndërsa në letërpërcjelljet tjera kanë përfituar 566 mijë denarë.

Kallëzimi penal është ndaj 43 vjeçarit S.K. nga Konçe, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, falsifikim të dokumenteve dhe dokumente të rrejshme.

“ Gjithashtu, S.K. në letërpërcjellëset, gjegjësisht në rubrikën „person përgjegjës“, e ka falsifikuar nënshkrimin e personit i cili ishte i autorizuar që t’i nënshkruajë dhe i ka përdorur si dëshmi në qarkullimin juridik”, raportoi Policia.