Me biçikletë nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri përmes Liqenit të Ohrit

Delegacioni I BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, në partneritet me Europe House nga Struga dhe Tirana, kanë organizuar turin ndërkufitar me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit me rastin e Ditës së Evropës, transmeton Portalb.mk.

“Të shtunën, më 06 Qershor 2026, do të zhvillohet një tur me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit për të festuar Ditën e Evropës, duke promovuar njëkohësisht lëvizshmërinë e qëndrueshme, ndërgjegjësimin mjedisor, stilin e shëndetshëm të jetesës dhe angazhimin qytetar”, njoftoi Delegacioni i BE-së në RMV.

Aktiviteti nën moton “Evropa Jonë. Më të fortë së bashku” pritet të fillojë rreth orës 09:30 në Strugë nga Parku i Poezisë, për të vazhduar në Pogradec (Shqipëri), ndërsa arritja në Ohër pritet të jetë rreth orës 14:45, ndërsa në Strugë pritet të mbarojë më 16:30-17:00.

Itinerari rreth Liqenit të Ohrit lidh komunitetet përtej kufijve rreth një prej monumenteve më të rëndësishme natyrore dhe kulturore të rajonit. Turi me biçikletë thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjeve midis njerëzve në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të bashkuar. Ky tur simbolizon festimin e përbashkët të vlerave evropiane, bashkëpunimit dhe qëndrueshmërisë”, raportoi Delegacioni.