KE-ja: Glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim
Komisioni Evropian (KE) të premten (28 gusht) deklaroi se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe se për një gjë të tillë nuk ka vend as në Bashkimin Evropian, as te vendet kandidate për anëtarësim, transmeton Portalb.mk.
Qëndrimi i KE-së ishte në fakt përgjigje ndaj një kërkese për koment lidhur me informacionet se disa politikanë dhe zyrtarë malazezë nga partitë në pushtet kanë glorifikuar figurën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska dhe kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, raporton HRT.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetës malazeze „Vijesti“, Komisioni Evropian kujtoi se Ratko Mlladiq vuante dënim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë, dhe se ai ishte kriminel lufte i shpallur fajtor nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017. Ky aktgjykim, siç theksuan nga KE-ja, u konfirmua në procedurën e apelit para Mekanizmit Rezidual Ndërkombëtar për Tribunalet Penale në vitin 2021.
Mes zyrtarëve malazezë që shprehën nderim ndaj Ratko Mlladiqit, mediat veçojnë kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi dhe liderin e partisë Demokracia e Re Serbe (NSD), Andrija Mandiq.
Mandiq në platformën sociale X publikoi se, në emër të tij dhe të NSD-së, i kishte shprehur ngushëllime Darko Mlladiqit “për vdekjen e babait të tij, gjeneralit Ratko Mlladiq”.
Ndaj kësaj reagoi presidenti malazez Jakov Millatoviq, duke theksuar se qëndrimi ndaj familjes së të ndjerit nuk mund të jetë justifikim për relativizimin e krimeve të luftës. Ai tha se Mali i Zi duhet t’i respektojë aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare, t’i dënojë qartë krimet e luftës, të mbrojë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre dhe të refuzojë çdo lloj glorifikimi dhe relativizimi të krimeve të luftës.
Edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Boshnjake (BP), Ervin Ibrahimoviq, reagoi pas veprimit të Mandiqit.
“Një kriminel lufte i dënuar ligjërisht, si i gjallë ashtu edhe i vdekur, meriton vetëm përbuzje”, shkroi Ibrahimoviq në rrjetin social X, duke shtuar se çdo gjë tjetër është glorifikim i fshehtë ose i hapur i kriminelëve, krimeve, gjenocidit dhe politikave gjenocidale.
Glorifikimin e krimeve të luftës e dënoi edhe zëvendëskryeministri malazez nga radhët e partive shqiptare, Nik Gjeloshaj, duke theksuar se glorifikimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i dënuar me vendim të formës së prerë, nuk është vetëm një qëndrim ndaj së kaluarës, por edhe tregues i vlerave që individët përfaqësojnë edhe sot.
Ibrahimoviqi dhe Gjeloshaj janë pjesë e qeverisë, në të cilën, siç raporton HRT, ka të paktën katër ministra dhe një zëvendëskryeministër nga Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit.
Lëvizja në pushtet “Evropa Tani” e kryeministrit Milojko Spajiq deri tani nuk ka dalë me qëndrim lidhur me veprimet e disa politikanëve nga koalicioni i saj.