Katër amanetet kryesore nga Bratisllava për Ballkanin Perëndimor

Pranohet gabimi për pritjen e gjatë para dyerve të BE-së, por mungon zgjidhja se si të përmirësohet!

 

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Fillimin e qershorit e shënuan dy mbledhje relevante për zgjerimin – e para ishte Globsek në Sllovaki, ndërsa e dyta – Samiti i komunitetit politik evropianMoldavi. Do të bëjmë një vështrim të konferencës Globsek 2023 në Bratisllavë, në të cilën mund të shiheshin këndvështrime interesante mbi zgjerimin, edhepse kjo nuk ishte pika qendrore e interesit – aspekti kryesor ishte ai i sigurisë.

Nga Bratisllava mund të ndahen prononcimet në lidhje me zgjerimin – ai i presidentes së Komisionit Evropian fon der Lajen, i presidentit francez Makron dhe i ministrit të punëve të jashtme të Austrisë, Shalenberg.

Ajo që është e përbashkët është se e pranojnë gabimin – e kanë lënë Ballkanin Perëndimor tepër gjatë të presë para dyerve të Bashkimit Evropian.

Presidentja e Komisionit, Ursula fon der Lajen foli mbi një “plan të ri për rritje” të përbërë prej katër pikash për Ballkanin Perëndimor. Nuk përmendi se kur dhe nëse do ta paraqesë këtë plan para institucioneve të BE-së. Nuk është e qartë se në çka do të dallohet ai nga plani tashmë i promovuar zëshëm Ekonomik dhe për Investime për Ballkanin Perëndimor i vitit 2020.

T’i shqyrtojmë katër pikat:

E para është: afrimi i Ballkanit Perëndimor deri te Tregu i vetëm evropian. Flitet me kujdes për “afrim”, dhe jo për integrim. Pastaj përmendet qasje nëpër sektorë të veçantë të tregut të përbashkët, siç janë pjesë të Tregut të vetëm digjital – fushat e e-tregtisë dhe e-sigurisë. Flitet për “lehtësim” të tregtisë së mallrave dhe pagesave. Kjo qasje u referohet atyre që tashmë janë “në rrugën premtuese” drejt qasjes në BE. Pyetja është: a ofrohet diçka e re nga ajo që tashmë mund të realizohej dhe sipas aranzhimeve të tanishme të shteteve të rajonit me Unionin – marrëveshjet bilaterale për stabilizim dhe asocim dhe marrëveshjet sektoriale rajonale? Konkretisht, integrimi i Ballkanit perëndimor në tregun digjital pan-evropian është një nga qëllimet e Planit aksionar për Tregun e përbashkët rajonal, i cili duhet të realizohet deri në fund të vitit 2024. Sipas asaj që është thënë deri tani – asgjë e re.

Pika e dytë: është tregu rajonal i përbashkët, për të cilin pretendohet se është kyç për tu zhvilluar potenciali ekonomik i rajonit. Së pari, hulutime relevante ekonomike tregojnë se tregu rajonal ka potencial të kufizuar, se me rëndësi kyçe është integrimi në Tregun e vetëm evropian. Nga ana tjetër, vendosja e lidhjes rajonale si kusht për aderim në tregun evropian (edhe atë gradualisht, në mënyrë sektoriale) deri tani nuk u dëshmua si një nxitje e mjaftueshme për integrim rajonal. Kështuqë, as kjo nuk është diçka e re.

Pika e tretë është: dhënia e dobive nga anëtarësimi para anëtarësimit në BE. Kjo është në kontekst të diskutimit që tashmë gjatë kohë po zhvillohet për integrim të shpejtuar/me faza/ gradual në BE. Metodologjia e zgjerimit jep mundësi për “integrim të përshpejtuar”, por për atë nuk kemi shembuj praktikë konkretë as edhe pas tre vitesh (përveç atyre që mundën të realizohen edhe pa atë – si, për shembull, qasja deri të programet dhe agjencitë e Unionit). Pastaj në BE vitin e kaluar qarkullonin disa non-paper-ë çekë për integrim “të përshpëjtuar/gradual/në faza në BE” dhe ato Austriakë: “Zgjerimi i BE-së dhe politika fqinjësore jashtë shablloneve ekzistuese”, me të cilat u nxit diskutimi (i brendshëm) në BE. Sipas propozimit inicial joqeverital mbi “aderimin në faza”, dobitë nga anëtarësimi do të fitohen në varësi të arritjeve, në një process të strukturuar.

E katërta, lajmërimi për “rritje të financimit para aderimit”. Në Metodologjinë e zgjerimit është dhënë mundësia për rritje të mjeteve para aderimit, në varësi prej rezultateve të reformave dhe anasjelltas – zvogëlim i tyre në rast të ngecjes, gjegjësisht mbetjes pas. Mirëpo, nëse flitet për rritje të mjeteve të përgjithshme për IPA, ajo do të jetë diçka e re. Pyetja është: sa, kur dhe si? A do të jetë në buxhetin e ri shtatëvjeçar të Unionit (Perspektivën financiare) për periudhën 2028-2034 apo tashmë me shqyrtimin afatmesëm të buxhetit aktual shtatëvjeçar?

Dimitar Kovaçevski - Ursula fon der Lajen. Foto: Qeveria e RMV-së
Dimitar Kovaçevski – Ursula fon der Lajen. Foto: Qeveria e RMV-së

 

Sigurisht, qasja deri te dobitë nga anëtarësimi kushtëzohet me plotësimin e kushteve për anëtarësim, të theksuara veçanërisht në tre fusha: gjyqësia, prokurimet publike dhe lufta kundër korrupsionit.

Qasje pritshëm më të përgjithshme kishte presidenti francez Makron. Ai në nuanca e ndryshoi retorikën për zgjerimin, duke pranuar se ai duhet të ndodhë së shpejti, për arsye gjeopolitike, dhe se metoda ekzistuese e zgjerimit nuk funksionon. Mirëpo, qëndrimi mbetet i njëjtë – nuk ka zgjerim të BE-së pa reforma në BE, sepse kjo do të ishte “katastrofë”. Vetë reformat në BE domosdoshmërisht nënkuptojnë tejzgjatje të procesit të zgjerimit, për shkak të ndërlikueshmërisë së procesit dhe diversitetit të shteteve anëtare. Ai insiston për “mekanizma, qëllime dhe formate të reja” si mënyrë që BE-ja të merret me kandidatët, gjë që domosdoshmërisht asocion në alternativa për anëtarësim.

Qëndrim direkt të kundërt ndaj Makronit shprehu ministri austriak i punëve të jashtme Shalenber – se për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor duhet të veprohet menjëherë dhe nuk duhet të priten reformat e BE-së.

Qëndrimet dukshëm të ndryshme, e madje edhe të kundërta në Bashkimin e Evropian, mbi zgjerimin e të njëjtit e vërtetojnë aktualitetin e problemit, por edhe nuk ka në dukje përmirësim të gabimit të pranuar.