Sot në Moldavi mbahet samiti i dytë i Komunitetit Politik Evropian: Do të marrin pjesë Kovaçevski dhe Bytyqi
Samiti i dytë i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet sot në Kishinau të Moldavisë, me pjesëmarrjen e 47 liderëve, transmeton Portalb.mk.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe të gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor, si dhe Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia, Norvegjia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Britania e Madhe, Komisioni Evropian, Këshilli Evropian, Parlamenti Evropian e të tjerë.
Nga Maqedonia e Veriut, në samit do të marrë pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili do të shoqërohet nga zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ai do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët në temën për energjetikën dhe lidhjen, ndërsa është planifikuar të ketë disa takime dypalëshe, duke përfshirë: Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Mezzola, Kryeministren e Danimarkës Mette Federiksen, nikoqirin- kryeministrin e Moldavisë Dorin Reçan.
Në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, përveç energjergjetikës, do të mbahen edhe disa tryeza paralele, në të cilat do të diskutohen çështje aktuale si infrastruktura kyçe; forcimi i luftës kundër sulmeve kibernetike; zhvillimi i një politike të përbashkët energjetike pan-evropiane dhe shqyrtimi i mundësisë së më shumë shkëmbimeve universitare dhe studentore.
“Fokusi kryesor i bisedimeve do të jetë në tri temat vijuese: përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë; elasticiteti i energjisë dhe aksioni klimatik; dhe ndërlidhjet në Evropë për një kontinent më të lidhur dhe më të qëndrueshëm”, thonë nga Qeveria.
Komuniteti politik evropian është një iniciativë që u promovua në maj të vitit 2022 nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe që mori zyrtarizimin e saj pas një muaji në përfundimet e qershorit të Këshillit Evropian. Samiti i parë u mbajt tetorin e kaluar në Pragë.